Rreziku i ikonave të sekuestruara, koleksioni i Thimios po shkatërrohet

21/09/2015 14:05

Prej më shumë se 1 viti, në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve vijojnë të qëndrojnë një numër i konsiderueshëm ikonash dhe veprash arti, të cilat janë sekuestruar nga arkivi i koleksionistit Gjergji Thimio, i cili ndodhet në proces gjykimi, i akuzuar për vjedhjen e tyre.

Ndërsa çështja është ende në Gjykatë dhe nuk është marrë një vendim i formës së prerë, stacionimi i këtyre objekteve të artit, duket se ka penguar punën në katin e tretë të GKA, ku ndodhet pavioni i artit bashkëkohor.

Artistët, që prej një viti nuk mund të ekspozojnë punët e tyre në këtë hapësirë dedikuar atyre. Nga ana tjetër, drejtori i GKA, Artan Shabani, thotë se këto ikona, përveçse po dëmtohen vetë si pasojë e infektimit nga insektet, qëndrimi i tyre në galeri përbën rrezik edhe për infektimin e veprave të tjera. Por duke qënë material prove i prokurorisë, ky institucion nuk ka tagrin e duhur për dezinfektimin e tyre.

“Veçse ikonat të qëndrojnë të stacionuara në katin e tretë të GKA , asgjë tjetër ne nuk mund të bëjmë sepse nuk kemi të drejtë t’i prekim, t’i restaurojmë, pasi ato konsiderohen prova dhe ruhen gjithë kohën nga policia e shtetit. Ne kemi kërkuar që të lirohet kati i tretë, i kemi kërkuar dhe prokurorisë të krijojë një alternativë, dhe t’i stacionojë në një ambient të dedikuar ku mund të konservohen dhe të mos dëmtohen ”, thotë Artan Shabani, drejtor i GKA-së.

Në javën e parë të shtatorit GKA iu nënshtura procesit të dezinfektimit, pa mundur të ndërhyjë në këto objekte që konsiderohen material prove i Prokurorisë.

“GKA ka një fond me rreth 5 mijë vepra arti në të cilën kemi dhe ikonat që janë në fondin e GKA dhe ato që janë në pronësi të Ministrisë së Kuturës, dhe ne si institucion në varësi të cilët i konservojmë në GKA dhe i ekspozojmë, kemi të drejtën ligjore që të ndërhyjme me restaurimin me laboratorin e restaurimit që është në GKA. Ndërsa ato piktura, ai mall artistik i çdo lloj zhanri që nuk është në pronësi të GKA ne nuk kemi asnjë iniciativë dhe asnjë të drejtë”, vijon Shabani.

Ndërsa drejtuesi i Muzeut Historik Kombëtar, Melsi Labi, pohon se ka marrë njoftim nga Ministria e Kulturës, për krijimin e një hapëire për këto objekte.

“Patjetër që kemi marrë kërkesa dhe njoftime të ndryshme, të cilat më përpara në kohë për disa arsye serioze në fakt, është refuzuar, po pas një takimi dhe dakordësie me ministren e Kulturës, po shohim mundësinë që ato shumë shpejt të vijnë dhe të magazinohen në MHK”, thotë Labi.

Por edhe në këtë institucion haset i njëjti problem, pasi edhe muzeu sapo ka përfunduar procesin e dezinfektimit. Veç kësaj, bën me dije drejtori, për dezinfektimin e këtyre ikonave kërkohet një fond i veçantë monetar, ç’ka muzeu nuk e ka në dispozicion.

Ajo çka është më e rëndësishmja sipas Labit, nëse ky fond miratohet nga Ministria e Kulturës, është marrja e masave, pasi duke qënë provë prokurorie nuk mund të ndryshohet gjendja aktuale e ikonave dhe nëse bëhet kjo, ai kërkon të mos mbahet përgjegjësi penale nga ana e institucionit që ai drejton.

“Të gjithë duhet të jemi të qartë për diçka. Nëse ato vepra vijnë në MHK të infektuara, dhe mbas tre muajsh apo 6 muajsh, apo sa do të vazhdojë seanca gjyqësore për nxjerrjen e të vërtetës, nuk na lejohet që t’i dezinfektojmë për shkak se janë provë prokurorie dhe ligji e ndalon këtë pjesë. Atëherë do të jetë pjesë e përgjegjësisë së MHK për degradimin e këetyre ikonave dhe prishjen e provës materiale të prokurorisë. Këto gjëra duhet t’i marrim parasysh”, vijon Labi.

Lidhur me këtë çështje, burime nga Ministria e Kultures bëjnë me dije se Prokuroria lejon zhvendosjen e ikonave nga GKA në MHK. Në vijim të njoftimint të ministrisë thuhet se po përgatitet dezinfektimi i ikonave sipas normave të lejuara nga prokuroria e gjykata dhe se në një moment tjetër do të vijohet me procesin e konservimit të fondit të ikonave pranë muzeut. Nga kjo ministri nuk bëhet e ditur asnjë datë konkrete se kur do të ndodhin të gjitha këto, ndërsa shkatërrimi i ikonave vijon.

Top Channel