Ironia e sirianëve: Kërkohet dikush që të rrëzon

21/09/2015 14:15

Me ironi të hidhur e një valë polemikash në internet, shumë sirianë refugjatë jashtë kufijve të vendit të tyre apo në kërkim të një rruge shpëtimi prej një atdheu të zhytur në luftë, përcjellin shpresën që të gjenden në situatën e emigrantit të penguar e rrëzuar në Hungari kur vraponte me të birin në krah.

Kërkohet dikush që të rrezon, është humori i zi i mjaft bashkëkombasve të Osama Abdul Mohsenit, të cilët urojnë t’iu rezervohet i njëjti fat. Pas episodit në kufirin hungarez, ku operatorja e një televizioni lokal e pengoi duke e bërë të shembej përdhe me të gjithë forcën e trupit mbi djalin e vet të mitur, burri mbërriti shëndoshë e mirë në Spanjë.

Kameramania Petra Laszlo u pezullua menjëherë nga puna, ndërsa atij dhe të birit iu ofrua strehë në Madrid, iu rregullua një takim me Christiano Ronaldon, e tani presin të sistemohen në një shtepi të tyren. Djali do të shkojë në shkollë, ndërsa Mohsenit, që përpara punonte si trajner, do t`i sigurohet një vend pune. Në kushte të tilla, nuk janë të paktë sirianët që e konsiderojnë të gjithë këtë episod një “fat të madh”.

Na gjeni aman ndonjë gazetar të paedukatë që të shkojmë në Spanjë si heronj, shkruajnë disa prej tyre në rrjete sociale. Videoja amatore e rrëzimit të emigrantit bëri xhiron e botës, duke ngjallur jo vetëm indinjatë ndaj trajtimit poshtërues, por edhe interes të madh për fatin e tij dhe të të birit.

Autoritetet spanjolle tani po përpiqen të tërheqin edhe gruan e Mohsenit e dy fëmijët e tjerë të tij nga kampi i refugjatëve në Turqi ku ndodhen aktualisht. Paskësaj, do të nisin tentativat për të ligjëruar sa më shpejt që të jetë e mundur qëndrimin e familjes në Spanjë, në mënyrë që Mohseni të nisë punën si trajner. Madridi ka pranuar të sistemojë gati 17.700 refugjatë nga Siria e vende të tjera të rajonit në bazë të skemës së hartuar prej Komisionit Europian.

Top Channel