Ambasadori Lu, takime me krerët e lartë të shtetit shqiptar

21/09/2015 00:00

Java ka nisur e ngjeshur politikisht për Donald Lu. Ambasadori i SHBA në Tiranë ka zhvilluar një sërë takimesh me drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar.

Kryediplomati amerikan është takuar me kryeministrin Edi Rama dhe me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, më pas Presidentin Bujar Nishani dhe me kreun e Parlamentit, Ilir Meta.

Nuk ka hollësi se çfarë është biseduar mes Lu-së dhe zyrtarëve të lartë shqiptarë, por besohet se temë e këtyre takimeve ka qenë çështje e dekriminalizimit.

Këto takime mbërrijnë pas atij që Lu zhvilloi me Bashën, pak ditë më parë. Javën e kaluar, Qeveria publikoi projektligjin e vet për të ndaluar personat me precedentë kriminalë të emërohen apo zgjidhen dhe të njëjtën gjë bëri edhe opozita një ditë më vonë.

Palët kundërshtojnë draftet e njëra-tjetrës. Kryeministri Edi Rama i cilësoi si “alla shqiptarçe” disa pika të parashikuara nga drafti i opozitës, ndërsa opozita përmes Oerd Bylykbashit tha se drafti i Qeverisë nuk përjashton kriminelët nga emërimi apo zgjedhja.

Top Channel