Rreziku i mbetjeve spitalore, gjysma ende i groposin ose i hedhin në kazanë mbeturinash

21/09/2015 15:05

Grumbullimi dhe përpunimi i mbetjeve spitalore nga subjektet që i prodhojnë ato mbetet ende një problem shqetësues. Në treg janë të licensuara vetëm dy kompani me të cilat në bazë të ligjit të gjithë subjektet që prodhojnë mbetje spitalore si spitale, klinika shendetësore, klinika dentare e të tjere duhet të lidhin kontrata me to.

Por Inspektorati Sanitar Shtetërore gjatë një inspektimi të kryer ka konstatuar se shpesh këto kompani nuk respektojnë kontratat e lidhura për të grumbulluar mbetjet spitalore.

“U morrën masa administrative prej 500 mijë dhe 1 milionë lekësh të reja dhe masë pezullimi të përkohshme për një kompani. Megjithëse disa subjekte i kanë të lidhura kontratat, kompanitë e licencuara për mbetjet spitalore nuk i janë përgjigjur në mënyrë korrekte kontratës për tërheqjen dhe asgjësimin e këtyre mbetjeve spitalore”, tha Eltar Deda, Inspektorati Sanitar Shteteror.

 Mbetjet spitalore vazhdojnë të jenë një risk serioz për qytetarët pasi sipas raportit të Inspektoratit Sanitar Shtetëror janë mbi 50 klinika dentare, qendra shëndetësore, të cilat nuk kanë kanë kontrata me subjektete të licensuara për përpunimin e tyre. Në mungesë të kontratës ata i groposin mbetjet spitalore ose i hedhin në kazane të mbetjeve urbane.

“Në 81 qendra shëndetësore të inspektuara nga ana jonë në 10 qarqet e vendit, 36 nuk kishin kontratë me subjekt të licencuar për evadimin e mbetjeve spitalore. Në 216 klinika stomatologjike, në 10 qarqe të vendit, 58 nuk kishin kontratë me firmë të licencuar për evadimin e këtyre mbetjeve spitalore”, vijon Deda.

Top Channel