Historia e Lorencit në Top Channel, 12-vjeçari regjistrohet në shkollë

21/09/2015 15:40

Lorenc Hysenaj, sot është regjistruar në shkollën nëntëvjeçare “Lasgush Poradeci”, dhe vëllai i tij Albi do të mund të shkojë në çerdhe. I hutuar nga vëmendja e shokëve, por edhe e zyrtarëve të cilët më parë i kishin mbyllur dyert për shumë kohë, sot Lorenci ndihet i kënaqur.

Pas transmetimit në Top Channel të historisë përsonale të djaloshit 12 -vjeçar, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla është interesuar personalisht jo vetëm për regjistrimin e Lorencit në shkollë, por edhe për gjetjen e një pune stabël për nënën e tij.

“Sot do të jetë dita e parë, por do të jetë dhe një mik i veçantë i shkollës, sepse dretorja e shkollës dhe ekipi pedagogjik do të pëcaktojë nivelin se ku është Lorenci për të vijuar me një program specifik ndihme. Ka një mike të mirë që është zyshë Lindita kështu që unë do ta ndjekë hap pas hapi momentin e shkollimit të Lorencit”, tha ministrja Lindita Nikolla.

“Falenderoj shumë drejtoreshën se më gjeti dhe punë, pastruese në një shkollë. Jam shumë e kënaqur, më shumë për Lorencin”, rrëfen Mariana.

“Kemi një punonjëse që del në pension në një shkollë, dhe mami i Lorencit do të ketë fatin që të vijojë dhe punën në atë shkollë”, vijoi ministrja Nikolla.

Për të kjo ka qënë dita e parë e shkolles.

“Tani kur të iki në shkollë do iki me shokët dhe do mësoj. Kur të dalë nga shkolla, do të marr vëllain dhe do të iki në shtëpi. Kaq desha”, thotë Lorenci i vogël.

Mariana tregon se tani ka në dorë pashaportizimin, ajo është një qytetare e Tiranës. Por vazhdon të jetë dhe një nënë e vetme, e pa strehë.

Apeli i Lorencit ka prekur qindra qytetarë shqiptarë, të cilet jetojnë brenda dhe jashtë vendit. Në redaksinë e Top Channel kanë mbërritur qindra mesazhe solidariteti por edhe gatishmërie për të ndihmuar një familje, e cila po përpiqet t’i mbijetojë jo vetëm varfërisë, por edhe vetmisë.

Top Channel