Prokuroria Themelore në Gjilan, mundësi për të luftuar shkeljet

21/09/2015 16:30

Përurimi i Prokurorisë Themelore në Gjilan mblodhi në këtë qytet zyrtarët më të lartë të shtetit, si dhe përfaqësues të huaj. Mes tyre ishte edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie, i cili gjatë fjalimit tha se forcimi i sundimit të ligjit në Kosovë është ndër prioritetet e tij.

“Shtetet e Bashkuara përkrahin nismat, që forcojnë kapacitetet e Kosovës për të ndërtuar sisteme ligjore për të ofruar drejtësi të drejtë, të paanshme dhe të përgjegjshme. Siç edhe ju e dini tanimë, bashkëpunimi me Kosovën për të forcuar sundimin e ligjit është një nga prioritetet e mia kryesore, si ambasador i SHBA-ve në Kosovë. Duke punuar së bashku, ne mund të sigurojmë që Kosova të jetë një shtet ligjor dhe sundimi i ligjit këtu të arrijë standardet më të larta ndërkombëtare”, tha Greg Delawie, ambasador i SHBA-ve në Prishtinë.

“Është koha që ne të kemi një drejtësi më funksionale dhe të fitojmë besimin e plotë të qytetarëve në të. Dukuritë negative në vendin tonë, si krimi, korrupsioni dhe shkelja e të drejtave të njeriut duhet të kenë adresa autorësh, por edhe ndëshkimi. Në qoftë se pajtohemi që drejtësia është fakt dhe jo perceptim, siç mund të jetë kohë pas kohe politika, atëherë të gjithë ne në drejtësi do të punojmë në bazë të fakteve”, tha Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë.

“Sot sistemi, Prokuroria ka fituar edhe një objekt të ri, në të cilën prokurorët do të ushtrojnë veprimtarinë e tyre të përditshme, me hetime dhe ndjekjen e autorëve të veprave penale. Me ngritjen e këtij objekti janë krijuar kushtet më të mira, që Prokuroria Themelore në Gjilan të fillojë të përmbushë më fuqishëm detyrat e saj në luftimin e dukurive negative me të cilat përballet shteti ynë, me fushatën e sundimit të ligjit kundër korrupsionit, terrorizmit e krimit të organizuar, dukuri këto që janë duke rrezikuar sigurinë, paqen dhe drejtësinë në vendin tonë dhe më gjerë”, tha Aleksandër Lumezi, kryeprokuror i Shtetit.

Ndërsa kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri tha se, komuna që ai drejton është ndër më të sigurtat në Republikën e Kosovës. Ai ka theksuar nevojën e përhapjes së institucioneve të drejtësisë për të rritur sundimin e ligjit në Gjilan.

Të pranishëm në përurimin e objektit të Prokurorisë Themelore në Gjilan ishin edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe ministri i Administratës Publike, Mahir Yagçilar.

Top Channel