Marrëveshjet e Brukselit, Mustafa raporton të martën në Kuvend

21/09/2015 17:10

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa do të raportojë të martën në Kuvendin e Kosovës për marrëveshjet e fundit të nënshkruara në Bruksel. I caktuar për të enjten e kaluar, ky raportim u shty, duke shkaktuar edhe zemërimin e opozitës.

Këtë të hënë, Kryesia e Kuvendit vendosi që seanca e radhës të mbahet pikërsisht në datën që kishte kërkuar shefi i qeverisë kosovare.

Nga seanca që do të nisë në orën 11, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli kërkoi që qeveria të dalë me një qëndrim më të qartë rreth marrëveshjeve të nënshkruara, duke theksuar që bllokimi i punës së Kuvendit nga opozita nuk është masa e duhur.

“Unë besoj se, të gjithë bashkërisht e për më tepër qytetarët, është mirë të dëgjojnë dhe kanë nevojë të dëgjojnë, se çfarë është arritur me marrëveshjet, në mënyrë që kur të ballafaqohen idetë mes deputetëve, të kemi edhe një qendrim më të qartë rreth marrëveshjeve që janë nënshkruar në Bruksel. Bllokimi nuk është një masë që ndihmon dikë, është më mirë të komunikojmë bashkërisht dhe të jemi të gjithë në krah të atyre që na kanë sjellë në këtë Kuvend”, tha Kadri Veseli, kryetar i Parlamentit të Kosovës.

Përplasjet mes shefave të grupeve parlamentare të pozitës dhe opozitës ishin të pranishme edhe në këtë mbledhje kryesie, veçanërisht për situatën  e krijuar pas marrëveshjeve të Brukselit.

“Po tentoni që të krijoni një situatë të rreme, por në fakt situata është shumë e tensionuar, si pasojë e marrëveshjeve të nënshkruara nga Isa Mustafa”, tha Albulena Haxhiu, shefe e grupit parlamentar të VV-së.

“Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa do të jetë i pranishëm nesër në seancë, ndërsa ju zonja jeni bërë të padurueshme (referuar Donika Kadaj-Bujupit, Albulena Haxhiut dhe Valdete Bajramit)”, tha Ismet Beqiri, shef i grupit parlamentar të LDK-së.

Raportimi i kryeministrit Mustafa në Kuvendin e Kosovës për marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel është shtyrë nga java e kaluar, me kërkese të vetë kryeministrit, me arsyetimin se disa nga anetarët e kabinetit qeveritar, pjesë e dialogut, nuk kanë qenë në Kosovë.

Top Channel