Netanyahu takon Putinin për Sirinë

21/09/2015 17:30

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu u takua në Moskë me presidentin rus, Vladimir Putin për të diskutuar mbi çështjet e sigurisë që shqetësojnë Izraelin në kufirin me Sirinë.

Synimi i vizitës, sipas Tel Avivit ishte shmangia e përballjeve aksidentale që mund të ndodhin mes ushtarëve izraelitë dhe atyre rusë që janë angazhuar në krah të Bashar al-Assad në Siri.

Por, vizita e kësaj të hëne konfirmon shqetësimet e Izraelit, i cili druhet se armatimet e shumta ruse që po vërshojnë drejt Sirisë, do të përfundojnë në duart e Hezbollah-ut, që lufton në Siri po për Basha al-Assad dhe kjo do të vështirësonte operacionet ajrore izralite kundër bazave të kësaj organizate në Siri.

Gjatë vizitës, Netanyahu shoqërohej nga shefi i shtabit të ushtrisë izraelite, Gadi Eizenkot dhe kreu i inteligjencës ushtarake, Herzl Halevi. Sipas mediave dhe analistëve në Izrael, prania e këtyre dy emrave në delegacion dëshmojnë seriozitetin e bisedimeve.

“Kohët e fundit, vitet e fundit, e veçanërisht muajt e fundit, Irani dhe Siria janë duke armatosur organizatën terroriste radikale Hezbollah me armatime të një teknologjie të përparuar që kanë në shënjestër Izraelin”, deklaroi Netanyahu.

Ky ishte shqetësimi kryesor që Netanyahu i ka shprehur presidentit rus, por jo vetëm kaq.

“Mendova që është me rëndësi të vij këtu për të sqaruar pozicionet tona në konfliktin sirian dhe për t’u siguruar se nuk do të ketë asnjë keqkuptim mes trupave tona në terren”, shtoi kryeministri izraelit.

Nga ana e tij, Putin ka siguruar kryeministrin izraelit se çdo veprim i Moskës në rajon do të jetë i kujdesshëm dhe me përgjegjshmërinë maksimale.

“Çdo aksion i Rusisë në rajon ka qenë dhe do të mbetet i përgjegjshëm. Ne jemi në dijeni për artilerinë që shënjestron Izraelin. E dënojmë atë dhe e di që këto sulme ndërmerren nga sisteme dhe struktura jozyrtare”, tha Putin.

Para mbërritjes së Netanyahu-t në Moskë, mediat ruse dhe ato ndërkombëtare shkruanin se synimi i Tel Avivit është marrja e garancisë që avionët e tij luftarakë mund të veprojnë pa asnjë pengesë mbi hapësirën ajrore siriane.

Vizita surprizë e kryeministrit izraelit në Moskë mbërrin në një kohë kur Rusia ka përforcuar praninë e saj ushtarake pranë një baze ajrore në qytetin e Latakias. Raportimet thonë se bëhet fjalë për autoblinda, artileri dhe avionë ushtarakë, që të gjitha të fjalës së fundit të teknologjisë luftarake ruse.

Top Channel