17 vite nga vrasja e Krasniqit, një krim ende pa autorë

21/09/2015 18:10

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa kërkon nga shteti shqiptar të angazhohet në zbulimin e vrasjes së kolonel Ahmet Krasniqit, ministrit të parë të Mbrojtjes të Qeverisë së Kosovës në ekzil.

Në përvjetorin e 17 të vrasjes së tij në Tiranë, Mustafa, i cili në atë kohë ishte ministër i Financave, tha se moszbulimi i kësaj vrasjeje është një njollë shumë e shëmtuar për drejtësinë dhe shoqërinë shqiptare në përgjithësi.

“Kolonel Ahmet Krasniqi i bashkohet plejadës së gjatë të personaliteteve më të ndritshme të historisë sonë kombëtare, të cilët fatkeqësisht pësuan të njëjtin fat nga pritat kriminale të errësirës, si Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Çerçiz Topulli, e më vonë Azem Hajdari, Enver Maloku, Xhemajl Mustafa, Ismet Raci, Smajl Hajdaraj, Ukë Bytyçi, Tahir Zemaj e shumë të tjerë. Zbardhja e këtyre vrasjeve, që ishin shumë të kobshme për kombin tonë, është një borxh që ua kemi jo vetëm atyre që u vranë padrejtësisht dhe pabesisht, por ia kemi borxh drejtësisë dhe paqes që ne po ndërtojmë në Kosovë”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

“Pres nga shteti shqiptar, por edhe nga Republika e Kosovës, që të marrë pjesë në zbardhjen e vrasjes së Ahmet Krasniqit”, tha Halil Bicaj, ish-bashkëpuntor i Krasniqit.

Ndërsa pritet nga Shqipëria zbulimi i vrasjes, synimi i Qeverisë së Kosovës është që eshtrat e Ahmet Krasniqit, i vrarë në mes të Tiranës, të varrosen në Prishtinë, në kryeqytetin e Kosovës, për të cilën ai u angazhua dhe u flijua.

Ndonëse drejtësia në Kosovë konsiderohet se ka dështuar në zbulimin e vrasjeve të pasluftës, kryeministri shtoi se ky është një borxh, jo vetëm ndaj familjarëve të atyre që u vranë pabesisht, por edhe ndaj drejtësisë dhe paqes që po ndërtohet në Kosovë.

Top Channel