“MasterChef Albania” nisi edicionin e 3-të

21/09/2015 00:00

“MasterChef Albania 3” nisi rrugëtimin në kërkim të shefit më të mirë të kuzhinës. Të apasionuar pas artit të gatimit, qindra njerëz aplikuan për t’u bërë pjesë e këtij formati, por vetëm disa prej tyre ia dolën të parakalojnë para shefave.

Secili me pjatën e tij më të mirë, në kërkim të përparëses, që u garanton pjesëmarrjen në sfidën e “MasterChef”-it.

“MasterChef Albania 3” mund të konsiderohet “MasterChef”-i i femrave. Përveç se ishin pjesëmarrëse më të shumta në puntatën e parë, ato spikatën edhe në cilësinë e gatimeve. Nuk është çudi, që çmimin e madh ta rrëmbejë një femër, pra që fituese të shpallet një shefe.

Pjesëmarrësit e këtij edicioni duket se nuk kanë shumë diferenca me njëri-tjetrin. Ndryshe nga sezonet e mëparshme, ku disa ishin më të spikatur, aspirantët e këtij viti janë të ekuilibruar në cilësitë e tyre. Nuk mungojnë konkurrentët që vijnë nga jashtë vendit, apo edhe nga Kosova.

Promovimi i vlerave të kuzhinës shqiptare nuk është jashtë vëmendjes së “MasterChef”-it. Shtegtimi nëpër vende të ndryshme të Shqipërisë bëhet me qëllimin për të treguar kulturën tonë të gatimit, si dhe atraksionet që të ofron vendi ynë.

Top Channel