Fundim Gjepali, anëtari më i ri i jurisë së “MasterChef”

21/09/2015 00:00

Fundim Gjepali është anëtari i ri i jurisë së “MasterChef Albania 3”. Me një eksperiencë të suksesshme në Itali, Fundimi është bërë promovues i vlerave të kuzhinës shqiptare.

Ai vjen nga familja e njohur e Gjepalajve në Shijak. Ushqimi ka qenë përherë një element karakterizues në familjen e tij, e me sa duket, pasioni për gatimin është i trashëguar.

Prej 19 vitesh, Fundimi jeton në Itali. Ai është një shef mjaft i kërkuar dhe drejton kuzhinën e “Antico Arco”, që konsiderohet ndër restorantet më të mirë të Romës. Aty ai është kthyer në një promovues të kuzhinës shqiptare, megjithëse restoranti është tradicional italian.

Një ushqim i mirë duhet shoqëruar me verën e duhur, e sërish Fundimi të vjen në ndihmë. Në kantinën e “Antico Arco”, ai përveç se tregon dashurinë e tij për këtë pije, u rekomandon klientëve shijen e përsosur.

Fundimi, përveç gatimit është edhe i apasionuar pas artit. Koleksionimi i pikturave është një tjetër proces po aq i dashur, sa edhe realizimi i një pjate të bukur e të shijshme. Fundim Gjepali është i martuar me Elidën dhe ka dy vajza.

Top Channel