Val Maloku, “kolegu” 11-vjeçar i hollivudianëve

21/09/2015 00:00

Historia e tij u përngjan rastësive, ku megjithëse babai i tij është artist, nuk ishte në dijeni të ekzistencës së një talenti të tillë në familje.

Val Maloku është 11-vjeçari, i cili u bë i famshëm me rolin e Norit, një fëmijë që shiste cigare në rrugë bashkë me të atin, në Kosovën e viteve ’90. Në atë kohë, babait të tij, Gëzimit i duhej të gjente një mënyrë për të emigruar në Gjermani, për t’i siguruar familjes së tij një jetë më të mirë.

I përzgjedhur mes 4000 fëmijëve nga regjisori Visar Morina, Val Maloku jo vetëm që kaloi me sukses kinoprovën për rolin e Norit, por edhe e luajti atë me mjeshtëri, duke u bërë i famshëm në filmin “Babai”.

Xhirimet e filmit “Babai” zgjatën rreth 3 muaj gjatë verës së vitit 2014, kur mamaja e Valit e ka shoqëruar atë gjatë të gjithë rrugëtimit, sa të bukur, aq edhe të vështirë.

Megjithëse në rolin e tij të parë, filmi “Babai” i solli djalit prishtinali shumë çmime të rëndësishme ndërkombëtare, si “Aktori më i mirë”, në eventet më të rëndësishme të festivaleve të filmit, në Mynih, Kroaci dhe festivalin e “Karlovy Vary”-it. Së fundmi, filmi “Babai” është përzgjedhur për të përfaqësuar Kosovën edhe në ndarjen e çmimeve Oscar.

Vali ka luajtur në dy episode me Sean Bean, – aktorin e filmave “Game of Thrones”, “Lord of the Rings”, – për serialin “Legends”, xhirimet e të cilit janë zhvilluar vetëm dy muaj më parë në kryeqytetin çek, Pragë.

Ndërsa pas disa ditësh, djali i talentuar 11-vjeçar do të jetë pjesë e një produksioni të rëndësishëm, si djali i Jessica Chastain, aktore dy herë e nominuar për çmimin Oscar, në filmin me titull “The Zookeeper’s Wife”. Me regji të Niki Caros, regjisore e famshme hollivudiane, ky film flet për dy individë, të cilët në Kopshtin Zoologjik në Varshavë shpëtojnë shumë jetë njerëzish gjatë kohës së pushtimit nazist.

Top Channel