Ja çfarë thonë për Valin…

21/09/2015 00:00

Vali është djali i vetëm, pas tre vajzave, në familjen Maloku. Rina, motra e tij e madhe, shprehet shumë e emocionuar për sukseset e të vëllait.

“Për moshën që ka është mjaft i pjekur. Pyetjet që bën Vali janë interesante për moshën e tij. Në përgjithësi është një fëmijë shumë i mirë dhe jam shumë e lidhur me të, që kur ishte shumë i vogël. Ka marrë pjesë në të gjitha audicionet, kur kanë shkuar për përzgjedhje në shkollën e tij. Sigurisht që ka qenë befasi edhe për ne, duke na bërë të lumtura që prej ditës së parë kur e morëm vesh. Ai vazhdon të na lumturojë, sidomos me sukseset e fundit të arritura, që na bëjnë shumë krenare”, thotë Rina Maloku.

Por Vali është gjithashtu edhe pak i llastuar në familje. Sigurisht, merita e të qenurit më i vogli.

“Vali konsultohet me ne për gjithçka. Për shembull, në festivalin e Karlovy Vary-t i është ofruar një rol në serialin “Legends”, e menjëherë nuk e ka pranuar, e ka refuzuar rolin te producentët, deri kur na ka telefonuar prej andej për të na kërkuar ndihmë”, tregon Genta Maloku, motra tjetër e tij.

Kohën e lirë e kalon me shoqen e tij të fëmijërisë, Nisën dhe qenin e saj, Rrafin. Sipas Nisës, shoku i saj nuk ka ndryshuar, edhe pse tani është bërë kaq i famshëm.

“Valin e njoh që kur kemi qenë shumë të vegjël dhe prej atëherë jemi shokë shumë të ngushtë. Nuk besoj se raporti ka ndryshuar tashmë që është bërë i famshëm, gjithmonë ka qenë i njëjti dhe nuk besoj se ka për të ndryshuar”, shprehet shoqja e tij e ngushtë, Nisa Rexha.

Megjithëse i duhet të udhëtojë shpesh për angazhimet e tij dhe rolet në filma, të cilat mesa duket po shtohen dita-ditës, sërish Vali mbetet një nxënës i mirë në shkollë.

Top Channel