Kosovë, opozita: Vendimi i Kushtetueses, skandaloz për drejtësinë

21/09/2015 18:40

Partitë opozitare në Kosovë kanë reaguar duke e cilësuar skandaloz vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me ankesën e tyre për themelimin e Gjykatës speciale.

“Sot, Gjykata Kushtetuese edhe njëherë e vërtetoi kapjen strukturore të pushtetit. Me përmbajtjen e aktvendimit me të cilin ka vlerësuar si të papranueshme kërkesën e 24 deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kjo gjykatë ka hequr dorë nga mbrojtja preventive dhe represive të rendit kushtetues. Një gjykatë e tillë, e cila formalisht konsiderohet si autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës, e redukton veten brenda kapitullit II mbi të drejtat elementare, e kur e bëri vlerësimin e amendamentit XXIV për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, tejkaloj pak edhe Kapitullin II për t’u marrë edhe me Kapitullin III mbi të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre. Gjykata Kushtetuese sot e ka shpjeguar natyrën e interpretimit të ardhshëm lidhur me të ashtuquajturin “dekretin e Qeverisë” për themelimin e Zajednicës. Për këtë, kur një organ kushtetues, i cili ka për detyrim kushtetues vlerësimin e cilitdo akt të Kuvendit, i cili krijon pasoja juridike të vlerësojë kushtetutshmërinë e të njëjtit, heq dorë nga vlerësimi i aktit, i cili jo vetëm që ndërhyn në sistemin kushtetues siç është amendamenti XXIV, cili do të konstruksioni interpretues për një akt ligjor të cilin e nxjerr Qeveria”, ka reaguar vetevendosje.

Reagime pati edhe nga AAK-ja, e cila thotë se vendimi ishte i pritshëm dhe gjykata me të tregoi edhe një herë se ka mbetur e infektuar nga politika.

“Ne nuk kemi pasur pretendime se vendimi i Gjykatës mund të jetë tjetër, por kemi shpresuar se kjo Gjykatë mund të ketë ndryshuar qasjen ndaj politikës, madje kur bëhët fjalë për atakimin e sistemit gjyqësor, siç ka ndodhur me amandamentin për Gjykatën Speciale. Por duket se Gjykata Kushtetuese ka mbetur e infektuar deri në palcë  nga politika. Konsiderojmë që me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, ky institucion e ka shpallur veten “Nul”, sepse Gjykata Speciale, nuk do ta njohë si autoritet gjyqësor as Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese, e cila për shkak të  ndikimeve politike s’po mundet as të  kompletohet me të  gjithë  gjyqtarët, është një shembull skandaloz për gjyqësinë kosovare. Do të dëshmohet se pasojat e këtij vendimi do të jenë  afatgjate”, shkruhet në komunikatën e shpërndarë nga AAK-ja.

Top Channel