Mitrovicë, edhe EULEX në vendngjarjen e krimeve ndaj shqiptarëve

21/09/2015 18:50

Vrasja e shqiptarëve gjatë vitit 2000 në Mitrovicën e Veriut, ka mbledhur këtë të hënë përfaqësues të ligjit, Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, për rindërtimin e ngjarjeve në këtë pjesë të qytetit.

Hetimet zhvillohen në kuadër të procesit në ngarkim të udhëheqësit të serbëve, Oliver Ivanoviç, dhe disa të akuzuarve të tjerë, të dyshuar për vrasjen e shqiptarëve.

Me kërkesë të Prokurorisë së EULEX-it, Drejtoria e Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut të Mitrovicës ka asistuar në ofrimin e sigurisë, në mënyrë që rindërtimi i vendit të ngjarjes, ku dyshohet se kanë ndodhur vrasjet, të zhvillohet pa probleme.

“Trupi gjykues ka vendosur të dalë në vendngjarje, duke filluar në pjesën veriore, në çdo vend ku kanë ndodhur ngjarjet; ashtu sikurse edhe në jug, kështu që do të marrë një pasqyrë, që do të shërbejë rreth çështjes së Ivanoviçit dhe të tjerëve”, tha Burhan Maxhuni, avokat i viktimave të luftës.

“Kjo do t’iu mundësojë gjyqtarëve të vlerësojnë dëshmitë e dëshmitarëve dhe të vërtetojnë nëse ato janë të vërteta ose jo, sepse gjyqtarët nuk janë tanët, por janë ndërkombëtarë dhe nuk dinë shumë rreth ngjarjeve këtu”, tha Nebojsha Vlajiç, avokat i Oliver Ivanoviç.

Të tilla veprime janë kryer edhe në jug të Mitrovicës, përkatësisht në “Lagjen e Kovaçëve”, rrugën “Mehmet Gradica” dhe atë “Ahmet Selaci”, ku janë vrarë dhjetëra shqiptarë gjatë vitit 1999.

Të mbijetuarit e ngjarjes kujtojnë ta kenë parë edhe politikanin serb nga veriu, Oliver Ivanoviç, i cili është njëri nga të dyshuarit në këtë proces gjyqësor.

“Shpresoj se do të bëhet një punë e mirë, nga fakti që ka dalë vetë EULEX-i për të punuar. Shpresoj gjithashtu që Oliver Ivanoviç të marrë dënimin e merituar. Unë kam qenë fëmijë 14-vjeçar, por e mbaj mend si sot fytyrën e tij, e mbaj mend fort mirë”, tha Tefik Sejdiu, familjar i viktimave.

“Kjo është një gjë e mirë, nëse rezulton me një fund të mirë. Këtu ka qenë Oliver Ivanoviçi, pastaj ka marr pjesë Sërgjan Aleksiç – komshiu ynë, – Vasilije Aleksiç, vëllezërit e Aleksiçit dhe kunata e Aleksiçit. Këta kanë qenë kryesorët dhe janë thirrur prej Bajskës, militantët e Titovo Uzhicës, për t’i kryer këto vepra”, tha Shefqet Pllana, familjar i viktimave.

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, gjykimi rreth këtyre ngjarjeve ka filluar më 18 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa të dyshuar janë Oliver Ivanoviç, Dragolub Delibashiç, Ilija e Nebojsha Vujaçiç dhe Aleksandar Lazoviç.

Top Channel