Rasim Doda para gjykatës: Hetimi është i njëanshëm

21/09/2015 19:40

Në seancën e parë gjyqësore kundër gjyqtarit të Sarandës, Rasim Doda, nën akuzë për korrupsion, para një trupe prej pesë gjyqtarësh ai akuzoi prokurorinë se është bërë pjesë e një skenari për ta sulmuar si gjyqtar.

Por, ndërsa nuk u bë e mundur çelja e shqyrtimit gjyqësor për shkak të mungesës së njërit prej avokatëve që do ta përfaqësojë, në sallë gjyqtari Doda u shpreh se nuk është thirrur asnjëherë për t’u pyetur. Të njëjtin qëndrim gjyqtari i akuzuar mbajti edhe për mediat.

“Totalisht hetimi është i njëanshëm. Unë kam besim te drejtësia dhe çdo gjë do ta bëjë në gjykatë. Unë ju kërkoj që të merrni pjesë sepse këtu është një manipulim. Është ngritur një person që ka humbur gjyqin. Arsyetimi i vendimit është i mirëarsyetuar, duhet të jetë model edhe për gjyqtarët e tjerë. Vetëm e vetëm se ky person ka pasur mbështetje nga jashtë dhe ka ngritur një akuzë të rreme. Unë kërkoj që të zbatohet ligji”, ka thënë para mediave gjyqtari Doda.

Por prokuroria mbron qëndrimin se gjyqtari i Sarandës ka ndryshuar vendimin një natë përpara se t’ua komunikonte palëve, njërës prej të cilave i kishte kërkuar 80 mijë euro.

Organi i akuzës thotë se ka si provë deklaratën e denoncuesit, i cili  ka pohuar se e ka takuar gjyqtarin në oborrin e gjykatës. Në të njëjtën ditë edhe gjyqtarja e Lezhës, Parashqevi Ademi, nën akuzë për korrupsion së bashku me avokatin Gjovalin Ndokaj, kërkuan gjykim të shkurtuar.

Kjo kërkesë u pranua, çka do të thotë se dy të pandehurit që u kapën në flagrancë teksa po ndanin 200 mijë lekë të marra nga një palë në gjykim, do të përfitojnë zbritje nga dënimi me një të tretën.

Gjyqtarja nuk ishte e pranishme, pasi siç pohojnë në burgun e grave, ajo ka probleme shëndetësore.

Top Channel