Platforma për drejtësinë, PD prezanton 300 rekomandime

21/09/2015 00:00

Partia Demokratike beson se ka gjetur zgjidhjen për një drejtësi të pavarur dhe të pakorruptuar. Në strategjinë e propozuar prej saj janë 300 masa, 60 prej të cilave kanë lidhje me ndryshimet kushtetuese dhe që opozita i trajtoi si ilaçin e duhur për drejtësinë.

“Të 300 masat janë të qepura në një gjetje të një dokumenti të organizmave ndërkombëtare”, shprehet Halimi.

Ndryshe nga dokumenti zyrtar që nuk i jep zgjidhje çështjes së zgjedhjes së presidentit, Partia Demokratike e lë këtë pjesë të pandryshuar, sepse sipas saj, ndërhyrja në mënyrën e zgjedhjes së presidentit prek të tre pushtetet, thënë ndryshe prek themelin e Kushtetutës dhe del përtej qëllimit, për të bërë një reformë vetëm në sektorin e drejtësisë.

“Si e tillë, ajo nuk duhet të synojë reformimin e të gjithë organizimit shtetëror dhe kushtetues. Çdo zgjidhje tjetër mbart rrezikun e nevojës për rishikimin e tre pushteteve, që do të thotë që sjell nevoja për të bërë një kushtetutë të re. Për këtë shkak ne rekomandojmë që të mos ndryshojë formula e përzgjedhjes së Presidentit të Republikës”, shprehet Alibeaj.

Mënyra sesi zgjidhet Presidenti është e vetmja që Partia Demokratike propozon të mos preket në institucionet që kanë lidhje me sistemin e drejtësisë. Gjithçka tjetër propozohet të zgjidhet me shumicën e cilësuar prej  2/3-ave. Që nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të disa prej Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm.

“Në çdo rast me shumicë të cilësuar prej dy të tretash, ose me alternativë me pjesëmarrjen thelbësore të opozitës parlamentare, e pasuar gjithmonë nga një mekanizëm zhbllokues në rast ngërçi”, sqaron Alibeaj.

Tre vjet më parë, kur socialistët ndryshuan Kushtetutën për heqjen e imunitetit të deputetëve, Partia Demokratike rrëzoi një paketë të opozitës së atëhershme socialiste, që propozonte zgjedhjen me shumicë të cilësuar prej tre të pestave të krerëve të të gjithë institucioneve të drejtësisë. Kryeministri i kohës, Sali Berisha, atëherë bëri një arsyetim të thjeshtë për ta rrëzuar paketën e opozitës së Edi Ramës.

“Kjo është Kushtetuta e sundimit të pakicës, kjo kurrë nuk do t’i vendoset këtij vendi. Ju garantoj se në rast se ne do të bënim këtë hap, kërkesa tjetër e zotit Rama do të ishte kryeministër me 84 vota. Standardet e tij janë sundimi i pakicës”, deklaronte në atë kohë kryeministër, Sali Berisha.

A ndryshon Partia Demokratike e 2015-ës me Partinë Socialiste të 2012-ës? Ish-ministri i Drejtësisë, Enkeljed Alibeaj, kur prezantoi strategjinë foli për një mekanizëm zhbllokues, por nuk sqaroi nëse ai shkon deri atje sa të eliminojë çdo pakicë bllokuese parlamentare.

“Ky mekanizëm duhet ta asistojë procesin duke inkurajuar, qoftë shumicën, qoftë pakicën që të gjejnë një marrëveshjeje me qëllim shmangien e bllokimit nëpërmjet metodave zhbllokuese që që nuk parapëlqehen nga asnjë palë e për këtë arsye do të shkojnë drejt marrëveshjes”, tha Alibeaj.

Ky term përmendet disa herë në strategji, por pa u sqaruar se si funksionon dhe zoti Alibeaj, i cili ka konceptuar ndryshimet kushtetuese, nuk qëndroi gjatë pyetjeve të gazetarëve.

Megjithatë, ish-ministri tjetër i Drejtësisë, Eduart Halimi e përshkroi mekanizmin zhbllokues të njëjtë me të zgjedhjes së presidentit. Që do të thotë se në fund gjithçka zgjidhet me 71 vota dhe se Partia Demokratike nuk po sillet me strategjinë në drejtësi si një pakice bllokuese, si Partia Socialiste në opozitë.

“Procesi, edhe në qoftë se do të bllokohet kur ka një opozitë destruktive, atëherë duhet të ketë një mekanizëm zhbllokues. Pra kërkohet një mekanizëm zhbllokues i njëjtë si ai i Presidentit”, tha Halimi.

Top Channel