Refugjatët, Zvicra ofron shembull për administrimin e tyre

21/09/2015 20:40

Teksa situata në Europë për çështjen e refugjatëve i përngjan një kaosi, Zvicra paraqitet si model për administrimin korrekt të azilkërkuesve.

Ky është konstatimi i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët, si dhe ai i Kancelares gjermane Angela Merkel.

Shpejtësia dhe efikasiteti i procedurave të azilantëve duket se përbëjnë formulën që i ka dhënë Zvicrës rolin model.

Megjithatë, edhe pse në dukje paqësore, partitë në Zvicër nuk kanë konsesus për çështjen e ndjeshme të refugjatëve.

Partia më e madhe në vend, ajo e krahut të djathtë, Partia Popullore Zvicerane, i kundërshtoi me forcë masat, që mund të nxisin më shumë refugjatë për të shkuar atje. Por, pavarësisht bujarisë së Zvicrës me dyert e hapura, këta të fundit duket se nuk e preferojnë qëndrimin në vendin alpin.

Numri i azilkërkuesve në Zvicër përbën vetëm 3 për qind të më shumë se gjysmë milion njerëzve, që kërkojnë strehim në Europë. Vetëm 401 sirianë numërohen të kenë kërkuar azil atje. Ndaj dhe, sfida e vendit për strehimin e tyre është shumë herë më lehtë e menaxhueshme, sesa shtetet që kanë pasur fluksin më të madh, sikurse Gjermania.

Megjithatë, javën e shkuar Zvicra shprehu gatishmërinë e saj për pranimin e 1500 azilkërkuesve sipas sistemit të propozuar nga Bashkimi Europian për kuotat e refugjatëve.

Top Channel