Ndërtimi i bunkerit, sërish protesta nga ish-të përndjekurit

21/09/2015 23:00

Disa dhjetëra qytetarë protestuan pasdite vonë pranë Ministrisë së Brendshme, ku po ndërtohet një bunker, që është konceptuar të jetë hyrja e një strehimi antibërthamor i kohës së diktaturës.

Protestuesit kërkojnë shembjen e bunkerit, sepse sipas tyre, ai është simboli më famëkeq i diktaturës komuniste. Të enjten e kaluar disa ish të përndjekur tentuan të hiqnin llamarinat, por nuk ia dolën dot, për shkak të shtimit të menjëhershëm të forcave të policisë. Edhe gjatë protestës së të hënës u vu re një numër i madh i uniformave blu.

Bashkë me disa protestues, kryesisht ish të persekutuar politike, në protestën e të hënës, ishin edhe disa deputetë të Partisë Demokratike, por ata nuk u përfshinë në kontaktin fizik mes policisë dhe protestuesve, kur ata shtyheshin për të arritur rrethimin e bunkerit.

Deputetët demokratë postuan në rrjetet sociale fotografi të policëve të armatosur, duke e komentuar këtë si një shkelje flagrante të ligjit për protestat. Pas përfundimit të protestës, Partia Demokratike publikoi foto të një furgoni policie përpara selisë së opozitës.

Top Channel