Përplasjet maxhorancë-opozitë, analiza e Afrim Krasniqit

22/09/2015 00:50

Në studion e “Revistës Televizive të Mbrëmjes” i ftuar ishte Afrim Krasniqi, analist dhe drejtor i Institutit të Studimeve Politike, për të diskutuar mbi aktualitetin politik në Shqipëri, përfshirë temat si dekriminalizimi, debati mbi raportin e OSBE-së, si dhe reformën në drejtësi.

Pandi Gjata: Aktualiteti i ditës lidhet me dekriminalizimin, por patëm edhe zhvillime të reja në lidhje me ato që u quajtën rekomandime të reja të Partisë Demokratike përsa i takon reformës në drejtësi. Do të doja në radhë të parë, si një vëzhgues ndër vite i gjithë zhvillimeve, të vija në dukje se palët po ndahen për dekriminalizimin. Thonë që ‘jemi gati’, por konsensusi duket i largët pasi kanë goxha dallime për dekriminalizimin. E shikoni këtë si mungesë vullneti, apo vështirësi për t’u shkëputur nga ajo që mund të quhet edhe një pjesë së tashmes apo së shkuarës nga politika?

Afrim Krasniqi, analist: Në fakt e shoh pak më ndryshe, shoh që ka konsensus midis palëve, por ajo çfarë u mungon është dëshira e tyre për ta realizuar. Kjo është një reformë ose një kërkesë që vjen nga komuniteti ndërkombëtar dhe nga presioni i opinionit publik. Nuk vjen nga partitë politike, të cilat, të vendosura me shpatulla pas muri janë të detyruara të gjejnë një mekanizëm se si të dalin nga kjo situatë. Nëse shohim draftet e të dy palëve, në thelb kanë të njëjtën gjë, por ajo çfarë unë konstatoj duke iu referuar edhe praktikave të mëparshme është se nuk janë ligjet ato që përcaktojnë nëse politika është e pastër, por mënyra se si liderët politikë sillen me listat elektorale, si sillen me shqetësimet publike dhe me kriteret etike. Për shembull, partitë politike respektive parlamentare, sidomos Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, kanë në statuset e tyre, në programet e tyre, në kodet e etikës, rregulla fikse që thonë se nuk mund të kandidojë asnjë person i dënuar. Por ndërkohë ata i kanë shkelur këto rregulla dhe kur partitë shkelin ato që quhen “kushtetuta të partive”, nuk e kanë problem të shkelin edhe Kushtetutën tjetër, e cila iu prodhon pushtet, siç ka ndodhur në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe siç ndodhi në zgjedhjet e fundit lokale. Nga ana tjetër, nëse ne iu referohemi dy nismave që u konsideruan historike në atë kohë, ndryshimeve kushtetuese të vitit 1998, kujtoj që palët e ndryshuan katër herë Kushtetutën deri më tani dhe kjo nuk ka prodhuar stabilitetin që kërkonim. Gjithashtu, nëse i referohemi vitit 2012, kur palët ndërhynë në Kushtetutë për të tërhequr imunitetin duke i premtuar publikut se heqja e tij do të sulmonte gjithë elitën e korruptuar politike, në fakt deri më sot asnjë politikan nuk ka dalë përpara drejtësisë për shkak të këtij ndryshimi. Edhe në vitin 2009 ndryshimet në Kodin Penal dhe vendosja e asaj që quhet ligji Antimafia, ku një nga pikat ishte sekuestrimi i gjithë pasurive të dyshimta, sidomos të atyre që kanë lidhje me vendimmarrësit politikë, sërish pas shumë vitesh asnjë person i këtyre rrëngjeve nuk është vendosur përpara drejtësisë, kështu që unë nuk pres që edhe ky ligj të zgjidhë problemin e dekriminalizimit në Shqipëri.

Pandi Gjata: Por, më shumë se tek vullneti apo dëshira për konsensus mes palëve, besoj, meqë ndërkombëtarët kanë një rol kyç në këtë proces, se palët nuk kanë ku të shkojnë dhe do ta miratojnë një ligj të tillë.

Afrim Krasniqi: Ka një paradoks të madh. Së pari ne pranojmë që në Parlament ka njerëz të inkriminuar, së dyti ne shpresojmë që këta njerëz të inkriminuar në Parlament të votojnë një ligj kundër vetes së tyre, d.m.th kur të pastrohet Parlamenti i ardhshëm. Nëse ata kanë një vullnet për të pastruar Parlamentin lë të japin dorëheqjen dhe kjo është vota më e mirë që mund të bëjnë për një ligj që pastron politikën. Së dyti, nëse shohim palët politike, akuzat që i bëjnë njëra-tjetrës janë të tipit ‘ti ke më shumë se unë’, që do të thotë se secila palë ka individë të tillë. Nëse palët e kanë seriozisht, le të pastrojnë radhët e tyre nga individët që kanë probleme me të kaluarën dhe në mënyrë automatike japin shembull pozitiv dhe moral, pas të cilit do të jetë e detyruar të veprojë edhe pala tjetër. Asnjë palë nuk e bën këtë gjë dhe pastaj ato kapen tek gjërat teknike, e kujt është iniciativa, kujt do t’i shkojë merita, kush do të përfitojë më shumë nga kjo gjë, gjëra që nuk kanë rëndësi për opinionin publik dhe për demokracinë në Shqipëri. Për ne ka rëndësi që minimalisht vendimmarrja politike të jetë e shkëputur nga krimi dhe që Shqipëria të heqë nga axhenda e saj e bisedimeve diplomatike dhe ajo ndërkombëtare kritikën skandaloze ndaj Shqipërisë për nivelin e lartë të korrupsionit dhe sidomos kriminalizimit të politikës.

Pandi Gjata: Ndërkohë, reforma në drejtësi është njëra nga çështjet më kryesore që Shqipëria të ecë një hap më tej në rrugën drejt Bashkimit Europian. Edhe këtu kemi mungesë konsensusi, palët i dinë tashmë qëndrimet e tyre, a mendoni që do kemi një reformë finale të miratuar nga të gjitha palët në Parlament?

Afrim Krasniqi: Në fakt, në reformën në drejtësi, sidomos me shpalljen e drafteve të palëve politike, shoh një përpjekje më serioze për të prodhuar një dokument, pasi të gjitha palët e kanë pranuar që ky sistem i drejtësisë nuk prodhon garanci për asnjërën palë, që do të thotë se, nëse ti kalon në opozitë ose nëse ti vjen në pushtet të gjitha premtimet e tua për shtet të së drejtës nuk janë në dorën tënde, janë në dorën e këtij sistemi të korruptuar të drejtësisë dhe si i tillë ti gjithmonë je i varur prej tyre. Kështu që ka një lloj konsensusi për të bërë diçka, çështja, ajo që mua më shqetëson, është natyra konsensuale e vendimeve në Shqipëri. Po ju marr një shembull: është interesant fakti që as PS-ja, as PD-ja nuk pranojnë të diskutojnë që Presidenti të zgjidhet nga populli, megjithëse sot është figura kryesore në sistemin e drejtësisë, në vendimmarrjen e drejtësisë. Secila palë dëshiron që Presidenti të vazhdojë të zgjidhet nga Parlamenti duke kalkuluar interesin që kanë në zgjedhjen e radhës të kreut të shtetit. Nëse ata vërtet do të kishin një reformë që do të ishte funksionale dhe afatgjatë, atëherë do të duhet t’i besonin më shumë popullit se sa kulisave partiakë dhe njëra nga këto është zgjedhja e Presidentit të Republikës. Së dyti, nëse ne shohim raportin e gjyqtarëve të shkallës së karrierës, kritereve që ata promovojnë, vihet re se po mundohemi të promovojmë kritere ekstra, pikë ekstra, eksperimentime ekstra. Ne nuk kemi pse eksperimentojmë, ne kemi modele të gatshme të vendeve si Kroacia, Sllovenia që janë të rajonit, kanë pasur gati-gati një të shkuar të njëjtë dhe ne duhet të marrim modele të gatshme. Modeli që ne kemi marrë nuk përfaqëson asnjë model europian, kemi bashkuar një sërë modelesh dhe si të tilla çdo ekspert mund të gjejë shkelje ose të natyrës kushtetuese, ose të praktikës më të mirë, po themi të njohura nga sistemet ndërkombëtare ose sistemi i së drejtës ndërkombëtare. Krijon një evazion të madh dhe një boshllëk të madh midis ligjeve dhe krijon nesër shanse për kriza të reja në vendimmarrje politike dhe nga ana tjetër që është përsëri themelore, ne kërkojmë sistem perfekt të drejtësisë nga një Parlament në vendimmarrje ku shumica e deputetëve, përfshirë edhe kryetari i Parlamentit janë objekt i drejtësisë së munguar në Shqipëri dhe janë në shënjestrën e opinionit publik për nivel të lartë korrupsioni, kështu që nuk mund të shpresoj që këta njerëz të na prodhojnë një sistem drejtësie të pavarur. Ky është meraku kryesor, kush është zgjidhja? Zgjidhja ngelet vetëm një, praktika që është ndjekur në disa vende të rajonit, një trup gjyqësor i imponuar në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, nëse ne krijojmë një trup të tillë atëherë do të kemi shanse dhe siguri dhe publiku do të fillojë t’i besojë këtij procesi.

Pandi Gjata: Temë e nxehtë padyshim është edhe ajo që ndodhi me OSBE-në pas publikimit te raportit konfidencial ku shumë emra politikanësh të rëndësishëm, por edhe parlamentarësh u lakuan nga ai raport dhe pati një debat, a shikon që ka baza reale për ta larguar ose jo misionin e OSBE-së nga Shqipëria apo është thjesht pasojë e asaj që ndodhi pas publikimit të atij raporti?

Afrim Krasniqi: Në fakt, në të kaluarën kemi pasur disa momente kur OSBE-ja është kërkuar që të largohet nga Shqipëria, madje njëherë është larguar nga Shqipëria. Edhe në mandatin e fundit qeverisës kemi pasur një përpjekje për të larguar ose për ta tkurrur. Nëse keni parasysh para pak vitesh të gjitha degët rajonale të OSBE-së u mbyllën dhe u la vetëm misioni në Tiranë. Përpara pak muajsh u kërkua që OSBE-ja të jetë më e tërhequr në vendimmarrjet kryesore që lidhen me politikën dhe të merret me gjëra teknike ose dytësore, siç janë dhuna gjinore, problemet e fëmijëve ose bashkëpunimi kufitar, kështu që është një praktikë e nisur më përpara sepse OSBE-ja shihet si shqetësim sepse është i vetmi organizëm që monitorin për demokracinë dhe raporton për demokracinë dhe të gjitha organizatat ndërkombëtare i referohen OSBE-së kur bëhet fjalë për nivelin e demokracisë në Shqipëri. Ajo çfarë ndodhi kohët e fundit është kulmi i kësaj lloj marrëdhënie jo korrekte me këtë institucion, fakti është që ne nuk vendosim për fatin e OSBE-së, janë misionet ndërkombëtare, sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilët përcaktojnë misionin e OSBE-së, vazhdimësinë dhe mandatin e tyre në Shqipëri. Shqipëria është e detyruar që ta respektojë, por Shqipëria nuk ka arritur që ta përdorë OSBE-në për gjëra pozitive, unë po ju marr rastin e fundit kur OSBE na e ofroi njërin nga postet më të rëndësishme në OSBE dhe ne e refuzuam dhe aty treguam një mungesë respekti ndaj këtij institucioni. Edhe debati i fundit nuk ishte tërësisht institucional, kur një organizatë ndërkombëtare boton një raport edhe sikur të jetë tërësisht formal dhe fiktiv, që unë besoj që nuk është dokument zyrtar i nivelit të lartë, do të duhej të veprohej në rrugë institucionale. Do të duhet Ministria e Jashtme të thërrasë Ambasadën, të kërkojë sqarime dhe të mbajë një qëndrim zyrtar dhe gjithçka zgjidhej, kurse ne zgjodhëm metodën shqiptarçe, populiste, komunikim me media, interpretim, por çfarë ndodhë, ka një paradoks të madh, politikanët janë zënë shumë më OSBE-në, kurse ka shumë qytetarë në Shqipëri që duke i besuar raportit thonë shyqyr që OSBE-ja merret me pasurinë e politikanëve.

Pandi Gjata: Por, gjithsesi në paralel me këtë zhvillim u riciklua debati i vjetër, u nisur dy vite më përpara kur kjo qeveri nisi detyrën, debatin me Presidentin Nishani kur u pa që emërimi i dy ambasadorëve në Maqedoni dhe në Izrael dukej sikur i shkriu akujt Presidencë-Qeveri, por lirimi i ambasadorit tonë në OSBE, që koinçidon me historinë e debatit pas raportit, e risolli sërish përplasjen Presidencë-Qeveri dhe ministri i Jashtëm ka filluar procedurat e lirimit të ambasadorit Koçi në OSBE.

Afrim Krasniqi: Ky është njëri nga paradokset e mëdha në diplomacinë në Shqipëri dhe në jetën institucionale, të gjitha këto lloj praktika zgjidhen me komunikim mes Presidentit dhe ministrit të Jashtëm ose nëse nuk pranohet ministri i Jashtëm si negociator, midis Presidentit dhe kryeministrit. Kemi pasur praktika të mëparshme presidenciale ku ka pasur konflikte të tilla, por rasti konkret tregoi që konflikti ka avraguar deri në atë pikë sa palët komunikojnë me media, nuk ka komunikim institucional dhe kjo është një shenjë negative nga një vend që synon statusin e vendit kandidat për BE dhe pretendon të sillet si një vend i denjë i NATO-s. Ky rast, e janë edhe disa raste të tjera që nuk janë bërë publike, janë kërkesa për t’u imponuar vendimmarrje të vogla ndaj vendimmarrjeve të larta dhe nga ana tjetër është edhe ai refuzimi në bllok i Presidentit të Republikës ndaj këtyre nismave. Në fakt do të duhej të kishte një sjellje krejt tjetër, palët do të duhet të reflektonin dhe të gjenin një zgjidhje sepse në të gjitha variablat e mundshme, mungesa e ambasadorit shqiptar në Vatikan, mungesa e ambasadorit shqiptar në OSBE, mungesa e ambasadorit shqiptar në sërë kryeqytetesh europiane është dëm i madh për Shqipërinë, nuk është as dëm i madh për Presidentin, as për ministrin e Jashtëm.

Pandi Gjata: Por, mesa duket kjo histori do të vazhdojë sepse po vazhdon prej dy vjetësh?

Afrim Krasniqi: Do të vazhdojë edhe madje një nga pjesët e reformës në drejtësi është parashikuar ligji organik për funksionin e Presidentit dhe është shumë e rëndësishme që ky ligj, i cili do të parashikojë edhe detaje të tilla të dekreteve dhe marrëdhënieve me ekzekutivin, të mos ndikohet nga individët që janë sot në detyrë, por të merret parasysh institucioni dhe qëndrimi i tij afatgjatë dhe roli i tij në skenën politike. Në draftin e parë të drejtësisë, njëra nga kritikat e mia publike ka qenë pikërisht kjo gjë që e kanë lidhur me emrin aktual. Shqipëria do te ketë President të ri pas 1 viti, një viti e gjysmë dhe si i tillë do të duhet të mendojë jo çfarë do të ndodhë me këtë President ose me këtë maxhorancë, por çfarë ndodhë me Shqipërinë dhe kur e mendon në këtë këndvështrim ka gjithmonë zgjidhje. Palët duhet të kërkojnë zgjidhje.

Top Channel