Kriza e refugjatëve, ministrat e BE në kërkim të marrëveshjes

22/09/2015 08:50

Ministrat e vendeve të BE-së do të përpiqen të zgjidhin përplasjet mbi mënyrën se si do të administrojnë 120 mijë azilkërkues, që së fundmi kanë mbërritur në Europë.

Një grup shtetesh nga Europa qendrore po u reziston thirrjeve të anëtarëve të Unionit për të pranuar kuota paraprake.

Hungaria, që mban një nga linjat më të forta lidhur me këtë çështje, ka deklaruar se kufijtë e kontinentit të vjetër janë të kërcënuar.

Mbërritja e qindra mijëra emigrantëve ka krijuar përçarje të thella në radhët e Bashkimit Evropian.

Nëse përplasjet vazhdojnë, ministrat mund të imponojnë një marrëveshje përmes shumicës së votave, sesa përmes një votimi unanim.

Vende të shumta janë në favor të propozimit për të krijuar një shumicë, por nga ana tjetër përpjekje të mëdha po bëhen për të gjetur një kompromis me skeptikët.

Në ditët e fundit kanë rënë në sy ndasitë kanë qenë më të mëdha se kurrë, sidomos kur presidenti francez Francois Hollande deklaroi se askush nuk duhet të përjashtohet nga strehimi i azilkërkuesve.

Ndërsa presidenti i Këshillit të Evropës, Donald Tusk deklaroi se BE duhet t’i ndihmojë refugjatët për një jetë më të mirë në shtëpinë e tyre.

Megjithatë, ka ende presion mbi ministrat e Brendshëm, për të arritur një vendim të qëndrueshëm në takimet që do të zhvillohen këto ditë.

Liderët evropianë mund të marrin vendime mbi baza unanime dhe janë të prirur të shohin drejt zgjidhjeve afatgjata, si siguria e kufijve dhe ndihma shtesë për vendet në Lindjen e Mesme, që është dhe vatra e krizës së emigrantëve.

Top Channel