Dezertorët e Shtetit Islamik: Pse braktisëm ushtrinë e terrorit

22/09/2015 09:35

Të paktën 60 dezertorë të Shtetit Islamik kanë folur për herë të parë kundër kalifatit dhe kanë deklaruar se qeveritë perëndimore duhet të bëjnë më shumë për të nxitur luftëtarët që të tregojnë realitetin.

Sipas “New York Times”, rreth 20 mijë luftëtarë i janë bashkuar grupit xhihadist në Lindjen e Mesme në dy vitet e fundit. Thuajse çereku i tyre janë evropianë dhe vlerësohet se nga 25 deri në 40 për qind e tyre janë kthyer në Europë.

Një raporti i Qendrës së Studimeve Ndërkombëtare mbi Radikalizmin thotë se shumica e dezertorëve jetojnë në fshehtësi për t’i shpëtuar ndëshkimit nga ISIS, por edhe për të shmangur burgosjen në vendet ku ata janë kthyer.

Por, sipas raportit, 58 dezertorë nga Europa dhe Australia kanë folur për herë të parë publikisht mbi eksperiencën e tyre. Në listën e arsyeve për të cilat ata thonë se kanë lënë grupin ata përmendin edhe dhunën ndaj myslimanëve të tjerë.

Dy dezertorë, që zgjodhën të braktisnin ISIS pasi mësuan se ishin zgjedhur për t’u bërë kamikzë, thanë për BBC se brutaliteti i Shtetit Islamik tmerron këdo.

Një shtetas sirian që ishte bashkuar me grupin radikal për të luftuar regjimin e Assad tha se, faza e parë e indoktrinimit të ISIS ishte kursi mbi Sharian, siç njihet ndryshe sistemi ligjor islamik.

“Por aty nuk ishin parimet e Islamit, aty ishin parimet e Shtetit Islamik. Ata të mësojnë atë që duan ata”, ka thënë ish-luftëtari.

Ai ka treguar gjithashtu se, taktikat e ISIS ishin të tilla: “Nëse je kundër nesh, atëherë do të vritesh. Nëse je me ne, atëherë do të punosh me ne. Ti do t’i nënshtrohesh vullnetit tim dhe do të më bindesh mua në çdo rrethanë”, ka treguar më tej ish-luftëtari.

Top Channel