Shqiptari më i urryer i momentit

22/09/2015 10:30

Shqiptaro-amerikani Martin Shkreli është shndërruar brenda natës në njeriun më të urryer dhe të përçmuar në rrjetet sociale.

Shkreli, 32 vjeç, njihet si sipërmarrës i suksesshëm në fushën e barnave mjekësore në Shtetet e Bashkuara. Ai është themelues dhe drejtor ekzekutiv i “Turing Pharmaceuticals”.

Si arriti të shndërrohej në njeriun më të përçmuar brenda natës? E thjeshtë. Shkreli bleu të drejtat për prodhimin dhe shitjen e “Daraprimit”, një kurë e posaçme për personat e prekur nga AIDS-i, që ndihmon imunitetin e organizmit të tyre të luftojë infeksionet vrasëse.

Blerja e këtyre të drejtave u bë në muajin gusht për një shumë prej 55 milionë dollarësh. Para se ta blinte Shkreli, Daraprimi shitej në treg për 13.5 dollarë një pilulë, por u rrit brenda natës në 750 dollarë.

Kjo ka shkaktuar reagim të fortë nëpër rrjetet sociale, por 32-vjeçari me origjinë shqiptare mbrojti vendimin për rritjen e çmimit.

“Turing Pharmaceuticals duhet të nxjerrë një fitim nga ky barn”, tha ai për Bloomberg.

Megjithatë, ai shton se kompania e tij nuk do t’u mohojë kurën personave që e kanë të pamundur ta paguajnë me këtë çmim, ndërsa tha se edhe me 750 dollarë pilula, Daraprimi ishte sërish një barn i nënvleftësuar.

Top Channel