Kosovë, Isa Mustafa qëllohet me vezë në Kuvend. Ndërpritet seanca

22/09/2015 11:40

Deputetët e partive opozitare në Kosovë kanë hedhur vezë në drejtim të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, gjatë kohës që ai po raportonte në seancë për 4 marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë.

Pas rrëmujës së krijuar, kryeparlamentari Veseli ndërpreu seancën, ndërsa deputetët e koalicionit qeverisës u larguan në zyrat e grupeve parlamentare.

Përfaqësuesit e opozitës thanë se, ky aksion brenda Kuvendit ishte koordinuar më herët dhe kishte për qëllim poshtërimin e kryeministrit, e jo dëmtimin e tij, ndërsa përfaqësuesit e koalicionit qeverisës e vlerësuan gjestin e opozitës si veprim rrugësh.

“Mendoj që ky nuk ishte një teprim. Ky ishte një aksion politik i opozitës drejtuar kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, për t’i treguar që ka bërë një marrëveshje shumë të dëmshme në kurriz të Republikës së Kosovës”, tha Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të VV-së.

“Është për të ardhur keq, që në Parlamentin e Kosovës ka filluar të instalohet logjika e veprimeve, që nuk janë institucionale. Janë veprime të rrugës dhe bartja e sindromit të rrugës në Parlament nuk është as në nderin, as në autoritetin e as në përgjegjësinë e deputetit të Kuvendit”, tha Ismet Beqiri, shef i grupit parlamentar të LDK-së.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci tha se deputetët e opozitës duhet t’i paraqesin argumentet e tyre në seancë, ndërsa u shpreh i bindur se, me veprime të dhunshme nuk do të mund të pengojnë funksionimin e institucioneve.

Sulmin e opozitës ndaj kryeministrit Mustafa e ka dënuar edhe Presidentja, Atifete Jahjaga. Përmes një komunikate për media, Jahjaga e quan këtë sulm të papranueshëm dhe në kundërshtim me frymën e demokracisë së mirëfilltë dhe me përpjekjet për të fuqizuar institucionet e Kosovës.

Edhe Qeveria e Kosovës, përmes një komunikate për media i ka cilësuar aktet e opozitës si të dhunshme. Qeveria vlerëson se, të gjithë kanë për detyrim të përmbahen nga aktet e dhunës dhe të shmangin veprimet, që tejkalojnë format demokratike të të bërit opozitë.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel