Tensionimi i seancës, Veseli thërret në takim Thaçin dhe Kuçin

22/09/2015 12:40

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thirrur në një takim urgjent zëvendëskryeministrin Hashim Thaçi dhe ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Ende nuk dihet nëse kryetari i Kuvendit do të thërrasë një mbledhje të kryesisë për të vendosur a do të vazhdojnë seancën parlamentare, ku më herët kryeministri Mustafa u sulmua me vezë.

Ndërkohë, shefi i grupit parlamentar të VV, Glauk Konjufca ka deklaruar se aksioni i opozitës për ta goditur kryeministrin ka qenë i koordinuar në takimet e opozitës para seancës.

Ai tha se qëllimi i këtij aksioni ishte poshtrimi i Mustafës, i cili sipas tij po thotë se Zajednica bashkon Kosovën.

Gjithashtu, lëvizja Vetëvendosje ka lëshuar edhe një komunikatë ku thotë se, “sot deputetët e opozitës i ndalën Isa Mustafës gënjeshtrën, përmes të cilës ai synonte që edhe njëherë të gënjente qytetarët dhe deputetët për marrëveshjet e Brukselit”.

“Isa Mustafa sërish po i trajton deputetët dhe qytetarët si të padijshëm. Veprimet e tij janë tallje dhe shpërfillje e Kuvendit, ashtu siç marrëveshjet e Brukselit janë një rrënim i Republikës”, thuhet në komunikatën e postuar në Facebook.

Top Channel