Totozani: Të miratohet pr/ligji për plotësimin e nevojave të të moshuarve

22/09/2015 13:30

Avokati i Popullit Igli Totozani i kërkon ministrit të Mirëqënies Sociale miratimin e projektligjit “Për përmirësimin e cilësisë së jetesës dhe plotësimit të nevojave për moshën e tretë”.

Në rekomandimin dërguar ministrit Blendi Klosi, Avokati i Popullit kërkon garantimin e të drejtave të të moshuarve dhe nevojave të tyre jetësore. Një pjesë e madhe e tyre në Shqipëri janë shtresa në nevojë, shprehet z. Totozani.

“Duke i parë problemet e kësaj moshe me objektivitet, duhet pranuar dhe kuptuar fakti se situata e të moshuarve në Shqipëri nuk është e mirë. Ata përbëjnë një ndër grupimet më të mëdha numerike të shtresave dhe grupeve në nevojë. Mungesa e sigurimit të një minimumi të ardhurash, mund t’i çojë të moshuarit dhe familjet e tyre në varfëri. Ata ndeshen shpesh me barriera shoqërore që ndikojnë në jetët e tyre. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 59, pika 1/ “e”, ka përcaktuar si objektiva sociale të shtetit, edhe përkujdesjen dhe ndihmën për të moshuarit, jetimët dhe invalidët”, thuhet në rekomandimin e Avokatit të Popullit.

Top Channel