Basha fton bizneset dhe qytetarët: Mosbindje civile!

22/09/2015 13:50

“E vetmja gjë normale sot është një reagim i fortë qytetar. Ora ka ardhur, mosbindja civile po thërret me forcë si e vetmja përgjigje e drejtë nga zullumi dhe krimi qeveritar”.

Këtë deklaratë të fortë, të thirrjes së mospajtimit qytetar dhe bizneseve në vend, Lulzim Basha e bëri pasi në pjesën më të madhe të një deklarate të gjatë, sulmoi ashpër ministrin e Brendshëm. Sipas kreut të opozitës, Saimir Tahiri është jo vetëm kumbari i bandave të narkotrafikut në vend, por është njeriu që drejton goditjen e biznesit të ndershëm dhe favorizimin e klientelës së qeverisë në aksionin antiinformalitet.

“Del ky pinxho i krimit, ky taksist i drogës dhe thotë se atij po, i lejohet informaliteti. Ndërkohë që u merr shpirtin shqiptarëve për një kupon. Inkriminimi dhe padrejtësia shoqërore me këtë ka kaluar Rubikonin. Nuk mban më ky vend, revolta po derdhet, dhe shkaktari është kryeqeveritari i standarteve të dyfishta, një për berberët dhe të pamundurit e tjerë e një tjetër për Sajmirin dhe Habilajt me shokë”, tha Basha.

Duke i bërë thirrje sipërmarrësve të ndershëm të reagojnë duke mos u pajtuar me aksionin selektiv sipas tij, të qeverisë, pa shumë besim Lulzim Basha i kërkoi Edi Ramës shkarkimin e Saimir Tahirit, duke shtuar se ka një prove tjetër të fundit që rëndon mbi ministrin e Brendshëm.

“Siguracioni i veturës që përdorin Habilajt paguhet nga Sajmir Tahiri”, tha Basha.

E megjithatë Lulzim Basha rishprehu bindjen se Saimir Tahiri është i përdoruri i Edi Ramës për trafikun e drogës, por nga ky aktivitet që bëhet nga kupola e qeverisë sipas tij, nuk është i kënaqur vetëm Edi Rama.

“Ilir Meta mesiguri feston sa herë zbulohen fakte të lidhjes së ministrit të brendshëm me bandat e me drogën, dhe mbahet me shpresë se tahiro-historitë do parakalojnë e do ti bëjnë hije skandalit të akuazave tashmë të ndërkombëtarizuara për rryshfet. Por iluzionet kanë ikur me gushtin. Faktet janë aty, dhe faktet e provat e korrupsionit e skemës më të madhe të mashtrimit e zhvatjes në vend, siç e quajnë avokatët e qeverisë, do të shqyrtohen, do të vënë para ligjit e përgjegjësisë kryetarin e parlamentit”, përfundon Basha.

Top Channel