Arrestohet për korrupsion kreu i ujësjellësit në Elbasan

22/09/2015 13:55

Me kërkesë të Prokurorisë së Elbasanit, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasin Altin Cenolli, drejtor i Ujësjellës-Kanalizime në Elbasan, i akuzuar për veprat penale të “korrupsionit pasiv” dhe “shpërdorimit të detyrës”, pasi dyshohet për kryerjen e veprineve abuzive në procesin e rikonstruksionit të rrjetit të ujësjellësit dhe instalimit të matësave të ujit.

Hetimi ka nisur në bazë të materialit të referuar nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Gjatë kohës që po kryheshin hetime për çështjen e ujësjellësit, u konstatua gjithashtu se drejtori Cenolli ndërhynte tek pedagogë të universitetit “Aleksandër Xhuvani” për të dhënë nota kaluese kundrejt pagesave, për studentë të ndryshëm.

Në vijim të këtij hetimi, rezultoi se ai bashkëpunonte me shtetasin Gazmend Laloshi, i cili gjithashtu është arrestuar pas vendimit të gjykatës. Bashkë me ta është arrestuar edhe shtetasi Jani Muslli, për “korrupsion aktiv”, pasi ka paguar për të marrë diplomën universitare.

Masat e sigurisë “arrest në burg” janë ekzekutuar gjatë ditës së martë nga ana e forcave të Policisë së Shtetit.

Shtetasit e mësipërm, nga hetimi i deritanishëm, rezulton se bashkëpunonin me shtetaset A.GJ dhe R.T., pedagoge në Universitet, ndaj të cilave është vendosur masa e sigurisë “detyrim për paraqitje”.

Top Channel