Disa zyrtarë të lartë të Bashkimit Demokratik për Integrim janë të pakënaqur me politikën aktuale të kësaj partie, ndërsa paralajmërojnë formimin e një subjekti të ri me emrin “Uniteti”.

Kjo parti pritet të drejtohet nga ish-gjenerali i UÇK-së, Gëzim Ostreni, i cili ka bartur për shumë vite funksione të larta në partinë e drejtuar nga Ali Ahmeti. I pari që kanë folur zyrtarisht për partinë e re, është deputeti Zylfi Adili, i cili ka konfirmuar largimin nga partia shqiptare që është pjesë e qeverisë së Shkupit.

Në listën e të pakënaqurve është përmendur edhe emri i deputetit Rafiz Aliti, që është edhe nënkryetar i Kuvendit të Maqedonisë. Megjithatë, vet ai thotë se nuk do të largohet nga BDI-ja, por se do të angazhohet për reformimin e thellë të kësaj partie.

“Elektorati i BDI-së dhe aktivistët e saj presin një reformë më të thellë brenda BDI. Askush prej nesh, duke u nisur prej meje nuk duhet të jetë imun ndaj reformave që duhet të pasojnë në BDI”, shprehet Rafiz Aliti, deputet i BDI-së.

Aliti, vlerëson se largimi i deputetëve dhe përçarja e BDI-së nuk dëmton vetëm partinë, por edhe interesat e shqiptarëve në Maqedoni.

“Copëtimi i elektoratit shqiptarë në Maqedoni nuk është interes kombëtar sepse e kaluara ka treguar se çdo herë që kemi qenë të përçarë pozicionet e shqiptarëve në Maqedoni kanë qenë më të dobëta”, shprehet Aliti.

Nismëtarët për formimin e partisë “Uniteti” thonë se janë në fazën e grumbullimit të firmave të nevojshme për themelimin e subjektit të ri. Ata, sqarojnë se partia e re do të jetë e hapur për të gjithë funksionarët e BDI-së, që janë të gatshëm të punojnë për interesat e shqiptarëve dhe që nuk janë të përfshirë në skandale. “Unitetit” pritet të grumbullojë rreth vetes funksionarë të BDI-së, që llogariten si krahu i luftës brenda partisë, për shkak të pjesëmarrjes së tyre në luftën e UÇK-së në Maqedoni.

Top Channel