Kosovë, 4 të arrestuar për trafikim të paligjshëm emigrantësh

22/09/2015 00:00

Policia e Kosovës ka kryer disa arrestime në Gjilan dhe Ferizaj, pas hetimeve disamujore lidhur me veprimtarinë kriminale të një grupi të organizuar, që merrej me trafikimin e emigrantëve për në shtetet e Bashkimit Europian.

Gjithsej janë arrestuar 4 persona dhe janë bastisur disa objekte, në një operacion për të cilin Policia e Kosovës ka shkëmbyer informacione me disa shtete të BE-së. Siç njoftohet në komunikatën për shtyp të policisë, ky grup përdorte rrugët nga Kosova, përmes territorit të Serbisë për në Hungari, me qëllim që, nga aty të vazhdonin për në shtetet e tjera europiane.

Për transportimin e viktimave janë shfrytëzuar mjete të ndryshme të transportit, si automjete dhe linja të rregullta të autobusëve për në Serbi. Çmimi për një emigrant varionte nga 2500-3500 euro, në varësi të destinacionit të fundit.

Gjatë procesit të deritanishëm të hetimeve janë identifikuar rreth 45 viktima të këtij krimi, të cilët ishin mashtruar. Emigrantët e identifikuar i përkasin të gjitha rajoneve të Kosovës.

Të dyshuarit e arrestuar janë: V. L., lindur në 1967; F. A., lindur në 1987; D. L., lindur në 1993; dhe S. R., lindur në 1987.

Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale: 4400 euro parà “cash”; një armë gjysmë automatike; 3 revole; 46 fishekë të kalibrave të ndryshëm; 3 automjete; 5 telefona celularë; si dhe dokumente të ndryshme që vlejnë si prova për procedurë.

Personat e dyshuar, në bazë të urdhrit të prokurorit janë dërguar në paraburgim deri në përfundim të procedurës së mëtejshme gjyqësore. Hetimet e këtij rasti do të vazhdojnë për të identifikuar edhe të dyshuar të tjerë të mundshëm.

Top Channel