F1, Vettel do të kërkojë të pamundurën

22/09/2015 16:30

Sebastian Vettel ka misonin që të pamundurën ta bëjë të mundur në 6 garat e mbetura të Botërorit të Formulës 1. Por për këtë gjermani duhet të ketë edhe rrethana favorizuese.

Gara e radhës është në Suzuka, një nga pistat më të preferuara të pilotit të Ferrarit, i cili ka fituar plot 4 herë aty. Por kjo pistë nuk e favorizon shumë Ferrarin, edhe pse “Kokëkuqja” italiane i është afruar ndjeshëm Mercedesit në çdo aspekt. Suzuka ka kthesa të gjata dhe shumë impenjative që përbëjnë një handikap për skuadrën italiane, e cila do të shpresojë sërish në një autogol të Mercedesit.

Pista e Soçit mund të favorizojë Ferrarin, ku frenimi dhe hapja e gazit janë aspektet që mund të ndihmojnë jo pak atë. Më pas, është gara në Austin, ku Ferrari mendon të ndërrojë motorin, i pesti për të në këtë sezon. Ky aspekt do të bëjë që si Vettel ashtu edhe Raikkonen të penalizohen me 10 pozicione, por pozitivja qëndron në faktin se pista teksane të jep mundësinë për të bërë parakalime.

Gara në Meksikë është e gjitha për t’u parë. Rikthehet në Formulën 1 pas 23 vitesh, por me ndryshime të mëdha. Këtu për Ferrarin parashikohen vështirësi. Ndërsa pista e Interlagosit i hap probleme Sebastian Vettelit, por gjermani shpreson në ndryshimet e motit, të cilat shpesh sjellin edhe përmbysjen e situatave të garës.

Formula 1 mbyllet me garën e Abu Dabit, pistë kjo që mund të ndihmojë Vettelin. Gjërat në këtë pistë mund të bëhen akoma më interesante, por kjo vetëm nëse llogaritë e këtij Botërori mbeten të hapura deri në fund.

Top Channel