Marrëveshjet me Serbinë, AAK ishte pro në 2013-n. Sot kundër, bashkë me VV

22/09/2015 17:15

Po me 10 minuta pushim ishte ndërprerë edhe seanca parlamentare në qershor të vitit 2013, kur do të ratifikohej marrëveshja për normalizimin e raporteve Prishtinë-Beograd, pjesë e së cilës ishte edhe krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Por, para dy vitesh, Lëvizja Vetëvendosje e kundërshtonte e vetme këtë marrëveshje, përfshirë edhe Asociacionin. Ndërsa sot, lëvizjet politike që pasuan tentativat për një koalicion mes partive të opozitës, për të penguar qëndrimin e Thaçit në pushtet pas zgjedhjeve, duket se kanë prishur edhe llogaritë.

AAK, që pak vite më parë e votonte, sot iu është bashkuar forcave që kundërshtonin raportimin e Mustafës, pikërisht për një zhvillim që rrjedh nga kjo marrëveshje.

“Asociacioni do të jetë edhe më i pavarur, sesa është vetë Kosova”, kishte thënë Visar Ymeri, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, më 27 qershor të 2013-s, gjatë seancës së ratifikimit të marrëveshjes.

Deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, që gjatë kësaj të marte hodhën vezë në drejtim të kryeministrit, në atë kohë, ndonëse në opozitë, e mbështesnin dialogun Prishtinë-Beograd. Kjo, jo vetëm për faktin se AAK-ja kishte njeriun e saj brenda procesit, Blerim Shala në rolin e koordinatorit, por sepse në atë kohë u hodhën frytet e para të një bashkëpunimi mes PDK-së së Thaçit dhe AAK-së së Haradinajt, sidomos pas kthimit të tij nga Haga.

Në shkurt të vitit 2013, kur ishte zhvilluar raundi i 6 i dialogut mes Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiç, të dy kryeministra në atë kohë ndërsa sot ministra të Jashtëm të vendeve respektive, që prodhoi edhe marrëveshjen e parë dhe më të rëndësishmen, Ramush Haradinaj jepte këtë vlerësim:

“Për takimin e djeshëm kemi pasur informacione për qëndrimet. Është me rëndësi, që Kosova e ka shprehur gatishmërinë për të gjetur zgjidhje për shqetësimet e qytetarëve në vend, në kuadër të Kushtetutës së vendit dhe ligjeve të vendit”, shprehej Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, gjatë shkurtit të 2013-s.

“Me rastin e jetësimit të këtij ligji, sovraniteti do të shtrihet edhe në veri, duke përmbyllur kështu shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin e Kosovës, e cila mundëson qëndrueshmërinë afatgjatë të vendit tonë edhe në këtë pjesë”, tha atëherë Blerim Shala, ish-deputet i AAK-së, gjatë seancës së ratifikimit të marrëveshjes.

“Nëse ne votojmë kundër, siç na thotë zemra, çfarë do të fitojë Kosova? E nëse ne fitojmë, siç na thotë mendja dhe bashkësia ndërkombëtare, çfarë do të humbasim në këmbim?”, pyeste në atë periudhë Arben Gashi, deputet i LDK-së, gjatë së njëjtës seancë.

E megjithë tensionet e krijuara, nga 101 deputetë sa ishin në sallë, 84 prej tyre e votuan marrëveshjen e parë Kosovë-Serbi dhe vetëm 4 prej tyre e kundërshtuan; njëri prej tyre abstenoi. Përmbysje të qëndrimeve politike, si këto, nuk janë të rralla në politikën kosovare, ku marrëdhëniet delikate me Serbinë janë sprova më e rëndë, me të cilën përballet çdo politikan.

Top Channel