Ministrat e Brendshëm të BE-së votojnë pro planit për rishpërndarjen e refugjatëve

22/09/2015 17:55

Pas disa tentativash të dështuara, më në fund ministrat e Brendshëm të Bashkimit Europian, ranë dakord  që të shpërndajnë 120 mijë refugjatë, votim ky që u miratua nga shumica e vendeve anëtare.

Sipas kuotave, emigrantët do të zhvendosen nga Italia, Greqia dhe Hungaria drejt pjesës tjetër të shteteve të Bashkimit Europian. Por procesi hasi edhe oponencën e Republikës Çeke, Rumanisë, Sllovakisë dhe Hungarisë. Ndërsa nga Blloku Lindor, Polonia e cila më herët e kishte kundërshtuar propozimin, votoi “pro”.

Me një shumicë të votave, shtetet anëtare të BE-së e mbështetën planin, i cili do të hyjë në fuqi gjatë dy viteve të ardhshme. Refugjatet do të shpërndahen në 28 shtetet e unionit, ndërkohë që Britania e Madhe, Danimarka dhe Irlanda e kanë të hapur opsionin nëse do të dëshirojnë të pranojnë ose jo azilantët. Por, Shqipëria ngeli jashtë skemës së kuotave, pasi më herët ishte hedhur ideja se vendi ynë do të pranonte refugjatë sirianë. Megjithatë, analistët gjykojnë se një çështje kaq e ndjeshme si ajo e refugjateve, e cila duhej të kishte solidaritet ndërkombëtar, duhej të votohej unanimisht dhe jo me shumicë votash. Dokumenti tani duhet të firmoset nga liderët e BE-së në një takim të dytë ditën e mërkurë sërish në Bruksel.

Por, Agjencia e Refugjatëve të OKB-së, i druhet faktit se skema zhvendosjes së refugjatëve është e pamjaftueshme për të stabilizuar situatën, duke pasur parasysh numrin e madh të të tjerë emigrantëve që zbarkojnë në Europë. OKB-ja thotë se afërsisht 480,000 emigrantë kanë mbërritur në Europë nga deti  gjatë këtij viti, e ndërsa numri i atyre që zbarkojnë në kontinent vetëm gjatë një dite është afërsisht 6.000 persona.

Ndërkohë, policia kroate ka bllokuar kufirin e saj me Serbinë, ku më shumë se 2 mijë refugjatë kanë ngelur në “token e askujt”, ndërmjet fshatit kroat të Tovarnikut dhe qytetit serb të Sidit. Situata në atë zonë vijon të jetë e tensionuar.

Top Channel