Makinat ekologjike, mjetet e së ardhmes

22/09/2015 00:00

Dy dekada më parë, mendimi për një makinë ekologjike dukej si fantashkencë. Me zhvillimin e teknologjisë, ajo që konsumatorët kanë kërkuar prej kohësh është bërë realitet.

Shtetet e industrializuara, si SHBA-të, Kina apo Gjermania kanë ndërtuar prototipet e para të automjeteve me hidrogjen, elektricitet apo karburante jo ndotëse.

Por, cilat janë disa nga tipet e automjeteve që priten të pushtojnë rrugët e botës në një të ardhme jo të largët?

Makinat hibride premtojnë shumë. Ato kanë të kombinuar motorin me djegie të brendshme dhe një motor elektrik, duke rritur kështu eficencën e përdorimit të karburantit, e duke ulur shkarkimet e gazeve.

Kur makina ka ndaluar, motori fiket automatikisht, ndërsa kur është në lëvizje, energjia kinetike përdoret për të ngarkuar baterinë. Karburantet alternative janë një tjetër revolucion në kosto.

Prej vitesh, etanoli dhe hidrogjeni eksperimentohen si karburante për të ulur shkallën e ndotjes së ambientit. Substanca prodhon gaze të përbëra prej avujsh uji dhe dioksidi karboni (CO2), ndërsa djegia e hidrogjenit prodhon vetëm avuj uji.

Mangësia e këtyre karburanteve është infrastruktura e re, që duhet ngritur për furnizimin e automjeteve. Shumë vende kanë futur motorë të tillë në autobusët e transportit urban, edhe pse siguria në përdorimin e hidrogjenit është ende e ulët.

Disa vite më parë do të dukej krejtësisht e pabesueshme të prodhoje një makinë, motori i së cilës të harxhonte vetëm 3 litra karburant për 100 kilometra.

Organizata “Greenpeace” provoi se mund të ndodhë e kundërta, duke arritur të përgjysmojë sasinë e karburantit të harxhuar. Sot, kompanitë e mëdha të automobilave po studiojnë tregje të reja blerësish, të cilët duan automjete që të harxhojnë sa më pak, e në të njëjtën kohë të jenë ekologjike.

Mbetet vetëm të presim, se çfarë do të ndodhë vitet e ardhshme. A do të vazhdojnë më të përdoren nafta dhe benzina, si të vetmet alternativa për të lëvizur?

Top Channel