Qerim Loki: Makina elektrike më kushtoi dy vite punë

22/09/2015 00:00

I ka kushtuar jo pak, por dy vite përkushtim krijimi i një makine elektrike. Në fakt kjo makinë, në shumë vende europiane shihet si e ardhmja e industrisë së automobilave, ku kompani të ndryshme kanë krijuar lloje të ndryshme.

Qerim Loki është 52-vjeçari nga Tetova, i cili është pronari i një makine superekonomike.

Loki ka shpenzuar rreth 5000 euro për kompletimin e kësaj makine elekrike, e cila harxhon vetëm 50 cent për 60 deri në 70 km.

“Ideja ka qenë e vjetër, duke punuar si riparues televizorësh. Prej atëherë më ka lindur ideja, por së fundi isha në Bullgari, në Plovdiv, ku pashë shumë automjete elektrike dhe aty vendosa përfundimisht ta bëja edhe unë një të tillë”, thotë Qerim Loki, i cili tregon më pas edhe mënyrën sesi karikohet bateria elektrike e automjetit të tij.

Automjeti, që ka 10 bateri nga 6 Volt secila dhe që punon me një elektromotor prej 240 Amper, shpejtësia maksimale e së cilës shkon deri në 100 kilometra në orë, karikohet si pajisje elektroshtëpiake. Në rastin konkret, me një karikim të baterive prej 2 deri në 8 orë, mund të udhëtohet në një distancë prej 50 kilometrash.

“Në natyre nuk ka efekte negative, sepse ky transmision nuk e ndot ajrin dhe është ekologjike. Në të ardhmen mendoj se do të prodhohen edhe shumë automjete të tjera të tilla. Ose nga dora e njeriut në mënyrë private, ose nëpërmjet firmave të automobilave. Tetova ka shumë nevojë për të tilla automjete, sepse ka një trafik të rënduar, por edhe për shkak të ndotjes së madhe në këtë qytet prej industrisë së rëndë”, thotë më tej Qerim Loki.

Duket si një makinë ëndrrash; shpenzon pak, nuk bën zhurmë dhe, ajo që është më e rëndësishme: është ekologjike dhe ruan mjedisin nga ndotja.

Top Channel