Thaçi: Opozita po tenton të destabilizojë Kosovën

22/09/2015 18:50

Ngjarjet e ditës së martë, gjatë seancës së papërfunduar penale të Kuvendit të Kosovës, përveç se morën vëmendjen maksimale nga arena politike e Prishtinës dhe nxitën reagimin në rrjetet sociale të ambasadorit amerikan në Kosovë, u komentuan sërish në rrjetin social Facebook edhe nga zëvendëskryeministri e njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi.

Në një postim të tijin në profilin zyrtar, ish-kryeministri i Kosovës është shprehur i indinjuar në lidhje me reagimin e deputetëve të opozitës kosovare, të cilët qëlluan me vezë kryeministrin Isa Mustafa, gjatë raportimit që ky i fundit po bënte në lidhje me marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel mes përfaqësuesve qeveritarë të Kosovës dhe Serbisë.

“Sjellja e sotme e deputetëve të opozitës në Kuvendin e Kosovës nuk është aspak në dobi të qytetarëve të vendit tonë. Sot u cënua Kuvendi, por edhe kryeministri dhe e tërë Qeveria e Republikës së Kosovës. U cënua demokracia dhe pluralizmi. Por mbi të gjitha, sot u cënua qytetari i Kosovës dhe e drejta e tij për t’u informuar. Opozita nuk është e gatshme të ballafaqohet me forcën e argumenteve, prandaj po kërkon të shfrytëzojë argumentin e forcës. Në kohën kur Kosova po vlerësohet nga miqtë e saj në botë, se po promovon dialogun dhe stabilitetin, opozita në Kosovë bën të kundërtën, duke ndalur dialogun dhe duke kërkuar destabilitetin politik. Pushteti fitohet vetëm me vota e me alternativa politike dhe jo me bllokim të institucioneve. E tërë kjo vjen në ditën, kur në Bruksel, komisioneri Hahn lavdëroi Kosovën për arritjet e bëra në procesin e Stabilizim-Asociimit dhe liberalizimin e vizave. Po sot, opozita me sjelljet e veta në Kuvendin e Kosovës vuri në pikëpyetje këto arritje dhe ktheu frikën te qytetarët e te miqtë ndërkombëtarë, se dhuna do të ndalë përsëri hovin e Kosovës. Frika dhe dhuna nuk kanë më vend në Kosovë”, ka deklaruar Hashim Thaçi në Facebook.

Top Channel