Drafti i Qeverisë, penalitete të reja ndaj shkeljeve fiskale

22/09/2015 00:00

Ligji i ri për procedurat tatimore është shndërruar në një objekt të nxehtë debati, jo vetëm politik, por edhe mes ekspertëve dhe opinionit publik.

Përmes ndërhyrjeve në ligjin ekzistues, drafti ashpërson fort masat ndëshkuese ndaj shkeljeve fiskale, në disa raste deri në ekstrem. Por cilat janë masat kryesore që propozon Qeveria përmes tij?

Ndryshimi i parë i tij është ai që i klasifikon tatimpaguesit, të cilët nuk kanë përditësuar të dhënat si biznese të paregjistruara. Kjo do të thotë se nëse një biznes ndryshon adresën dhe nuk e raporton atë në QKR apo tek tatimet, do të ndëshkohet njësoj sikur është i paregjistruar.

Ndryshimi i dytë është ai, i cili ndalon tregtarët e shumicës të shesin mallra me pakicë tek konsumatorët finalë. Kjo do të thotë se këto tregtarë nuk mund të shesin më me kuponë tatimor tek individët, por do të shesin vetëm me faturë tatimore për bizneset e pakicës. Ky detyrim ka një periudhë tranzitore dhe hyn gradualisht në fuqi deri në 1 prill të vitit 2016.

Së treti, drafti dënon me gjobë deri në 15 për qind për çdo muaj bizneset që nuk paguajnë në afat tatimin mbi fitimin, këstet e të cilit janë të paracaktuara një herë në muaj ose një herë në tre muaj.

Veç kësaj, një tjetër ndryshim i fort është ai që i jep administratës tatimore atributin për të konfiskuar 50 për qind të xhiros ditore të çdo biznesi që ka borxh ndaj tatimeve deri në rikuperimin e plotë të borxhit. Po kështu, tatimet mund ta kërkojnë këtë borxh edhe nga të tretët, të cilët kanë detyrime ndaj biznesit debitor.

Ndryshime të forta ka dhe në gjobat për mosdeklarimin e punonjësve. Aktualisht gjobat për punonjësit e paregjistruar janë me dy shkallë, 500 mijë lekë për biznesin e madh dhe 50 mijë lekë për biznesin e vogël. Me draftin e ri barazohen të dyja në 500 mijë lekë. I njëjti penalitet shtohet edhe kur biznesi nuk ka deklaruar pagën reale të punonjësit.

Por ndryshimi më i shumëpërfolur është ai që lidhet me mallrat e pashoqëruara me faturë. Për këtë shkelje biznesi propozon 3 ndëshkime, gjobë në masën 10 milionë lekë, konfiskim të të gjithë sasisë së mallit dhe rivlerësim tatimor të të ardhurave për një periudhë 6-mujore. Ndërsa për moslëshimin e kuponit gjoba është 500 mijë lekë në konstatimin e parë dhe rivlerësim i të ardhurave për 6 muaj. Ndërsa në rast përsëritje klasifikohet si evazion tatimor që ndëshkohet deri në tre vjet burg.

Opozita dhe disa ekspertë thonë se drafti i ri ka karakter të fortë represiv dhe ndëshkon biznesin, por qeveria justifikohet me nivelin e lartë të evazionit në ekonomi.

Top Channel