“Fiks Fare”, mungesa e etiketave shqip në produktet ushqimore

22/09/2015 21:50

Në vendin tonë, pajisja e produkteve të ndryshme me etiketat në shqip është një detyrim ligjor. E për sa kohë që ligji nuk zbatohet, edhe vëmendja e emisionit investigues në Top Channel, “Fiks Fare”, do të vazhdojë të mbetet mbi një çështje të tillë.

Në puntatën e së martës të këtij emisioni është transmetuar një vëzhgim, që kanë bërë gazetarët investigativë të “Fiks Fare”, sesi është situata nëpër qendrat e ndryshme tregtare apo kudo tjetër. A janë të pajisur produktet me etiketën në gjuhën shqipe, apo jo? Ndiqni disa prej tyre…

Fiksi: A mund t’i shoh pak këto produkte?
Shitësja: Po
Fiksi: Se mos marr ndonjë gjë. Dua të pyes, sepse i kam merak këto ushqimet, që nuk kanë etiketa në shqip.
Fiksi: A m’i jep pak ato makaronat?
Shitësja: Këto janë për pastiçe.
Fiksi: S’kanë asnjë etiketë në shqip? Ku mund ta shoh një të tillë?
Shitësja: Jo, jo. Janë greqisht.
Fiksi: Asnjë nga këto produktet nuk e kanë etiketën në shqip?
Shitësja: Jo.

Fiksi: Këtu nuk ka asnjë etiketë në shqip. Doja të dija me çfarë janë të përbëra dhe si janë përbërjet e tyre. Më ndihmon pak?
Shitësi: E ke turke, kjo turkja nuk e ka.
Fiksi: Nuk ka etiketë shqip, eee?
Shitësi: S’e ka…

Fiksi: Kanë ndonjë etiketë në shqip këto produkte? Prodhim, skadim, apo nga se janë të përbëra?
Shitësja: Datë skadence kanë patjetër.
Fiksi: Po, datë po, datë skadence… Po përbërësit?
Shitësja: Nuk e di e kanë shqip apo jo, por italisht e kanë ato.
Fiksi: Italisht po.
Shitësja: Shqip nuk e di.

Fiksi: Përshëndetje! Mund t’iu bëj vetëm një pyetje? Mos duhet të ketë gjë ndonjë etiketë shqip këtu, ku të shoh përbërësit, apo…?
Shitësja: Përshëndetje, por kjo është italiane.
Fiksi: Nuk ka shoqëruese në shqip?
Shitësja: Ja ku e ke, italisht…
Fiksi: Italisht po, e shoh.
Shitësja: Ky është produkt italian, nuk e ka etiketën në shqip.

Fiksi: Pse nuk kanë letra me përkthim në shqip këto?
Shitësja: Për çfarë e do ti tani?
Fiksi: Letrat me përkthim në shqip…
Shitësja: Jo, nuk i kanë. S’kanë këto asnjëra, pothuajse asnjë produkt nuk i ka.

Fiksi: A më ndihmon pak me ndonjë informacion, se kjo nuk paska asnjë etiketë në shqip…
Shitësja: Të them të drejtën, derisa kjo s’e ka…
Fiksi: Ja, për shembull si kjo etiketë.
Shitësja: Epo verërat zakonisht nuk e kanë, me thënë të drejtën.

Fiksi: Djali t’iu pyes diçka? Këto makaronat nuk kanë një letër shoqëruese në shqip…
Shitësi: Përkthim në shqip?
Fiksi: Po.
Shitësi: S’na ka ardhur përkthimi, se zakonisht na vijnë edhe ato.
Fiksi: Të vijnë kur vjen edhe kjo? Vijnë bashkë me këtë?
Shitësi: Po, vijnë bashkë me përthimet.
Shitësi: Këto ua ngjisim neve, kur na vijnë.
Shitësi: Por ajo s’na ka ardhur.

Fiksi: Doja të blija ndonjë salcë, por s’po shoh asnjë lloj përkthimi shqip. S’i kuptoj, si mund të përdoren?
Përgjegjësja: Shqip s’kanë këto.
Fiksi: Duhet të kenë një letër shoqëruese, apo jo?
Përgjegjësja: Këto nuk e kanë…
Fiksi: Përbërja…
Përgjegjësja: Po, e marr vesh, por këto nuk e kanë. Janë italiane, vijnë drejtpërdrejt nga andej.

Fiksi: Ka ndonjë përkthim shqip këtu, nga se është e përbërë kjo? Si përdoret…?
Shitësja: Është e thjeshtë ajo, nuk ka asnjë gjë të vështirë.
Fiksi: Nuk ka asnjë gjë?
Shitësja: Salcë, vetëm domate. Vetëm salcë.

Fiksi: Kam dy pyetje. Këto makaronat përse nuk kanë një letër shoqëruese, si këto?
Shitësja: Ndoshta nuk i ka vënë sistemuesi. Ndodh që kur e hapim paketimin, ndodh që mbase nuk kanë nga këto letrat.
Shitësja: Sepse këto letrat janë veç. Kupton? Mbase nuk kanë pasur.
Fiksi: Edhe kjo për shembull nuk ka.
Shitësja: As kjo s’e paska. Kjo ndodh mbase nuk kanë pasur nga këto letrat. Por, po të marrësh një produkt tjetër e kanë.

Siç edhe është vënë re nga gjithë ky hulumtim i stafit të “Fiks Fare” nëpër disa qendra tregtare në Tiranë, produktet në shumicën e rasteve nuk i kanë etiketat shoqëruese në gjuhën shqipe. Madje, shitësit apo shitëset nuk të japin dot as shpjegim se përse ndodh kjo gjë, por vetëm me hamendësime.

Megjithatë, “Fiks Fare” është interesuar tek Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, sigurisht për të mos e lënë me kaq këtë punë, ku është intervistuar shefja e sigurisë ushqimore në AKU, zonja Alma Shehu.

“Është absolutisht i ndaluar tregtimi i produkteve ushqimore në tregjet e vendit tonë pa etiketimin e tyre në shqip. Ka raste abuziviste të tregtarëve të ndryshëm, ndaj ekziston edhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Gjithsesi, jo vetëm AKU, sepse në këtë këndvështrim, siguria ushqimore trajtohet edhe si siguri kombëtare. Ne jemi për një bashkëpunim dhe bashkërendim ndërinstitucional, jo vetëm me institucionet e tjera, por edhe me konsumatorin shqiptar, edhe me influencimin tuaj si media, që të ndërgjegjësojmë konsumatorin të mos i blejë këto produkte, ashtu sikurse tregtarët të mos i shesin ato. Sidomos në rastin konkret, kur ka një mungesë të plotë informacioni. Ne kemi një plan kontrolli vjetor, që bazohet në vlerësimin e nivelit të riskut. Të gjithë operatorët e biznesit ushqimor kontrollohen nga AKU dhe në rastet kur ne evidentojmë shkelje të ligjit të ushqimit, apo neni 36 i këtij ligji që ka të bëjë me etiketimin, operatorët e biznesit ushqimor penalizohen. Penalitetet fillojnë që nga masat administrative; paralajmërim e gjobë; deri në bllokimin e aktivitetit të biznesit të operatorëve ushqimorë. Raste të tilla ne kemi”, u shpreh Alma Shehu, shefe e sigurisë ushqimore në AKU.

Pas kësaj nuk mbetet gjë tjetër, as t’iu lutemi operatorëve të pajisin produktet me etiketa, sepse ky është detyrim ligjor dhe për sa kohë është kështu, ata thjesht duhet të zbatojnë ligjin.

Top Channel