PD: Rama e Tahiri kanë urdhëruar arrestime politike

22/09/2015 22:15

Tre deputetë të Partisë Demokratike akuzuan kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm, se po urdhërojnë arrestime politike në shkelje flagrante të të drejtave të njeriut.

Deputetët demokratë Strazimiri, Bumçi dhe Pollo ishin në Komisariatin nr. 1, pasi policia kishte shoqëruar njërin nga aktivistët për shembjen e bunkerit.

Sipas opozitës, njëri prej drejtuesve të komisariatit u ka thënë se, Gentian Gjonaj është shoqëruar për shkak të pjesëmarrjes në protestë të paligjshme, por – siç shpjegoi deputeti Strazimiri, – prej disa vitesh policisë i është hequr e drejta të ndalojë të drejtën kushtetuese të grumbullimit paqësor të qytetarëve.

Zoti Strazimiri tha se, në komisariat kishte takuar edhe një të moshuar, që po përpiqej pa sukses të denonconte dhunën e Tatimorëve te biznesi i familjes së saj dhe dy persona të tjerë fatkeqë, të arrestuar për shkak se po kryenin disa rregullime brenda shtëpisë së tyre.

Opozita tha se arrestimi dhe keqtrajtimi i qytetarëve nga policia, po ndodh kur ministri i Brendshëm – sipas deklaratave të tij, – ka kryer evazion fiskal për shitjen e makinës së tij, e që gjithashtu akuzohet se e ka përdorur atë për trafik ndërkombëtar droge.

Top Channel