PSG rikthehet te fitorja, Ibra gol dhe asist

23/09/2015 00:00

Paris Saint-Germain rikthehet te fitorja pas 2 barazimeve në Ligue 1. 3-0 ndaj Guingamp për të siguruar kryesimin me 17 pikë pas 7 ndeshjes, 4 më tepër se ndjekësit më të afërt të Rennes dhe Saint-Ettiene.

Skuadra e Laurent Blanc gjeti avantazhin që në minutën e 18 me Javier Pastoren që zhbllokoi rezultatin që nga jashtë zonës pas një asisti të Zllatan Ibrahimoviç.

Ndeshja vijoi me raste të shumta për parisienët që gjithsesi nuk arritën të gjenin golin e sigurisë deri në minutën e 76 kur ishte blerja e kësaj vere, Angel di Maria që dyfishoi për të vënë në kasafortë fitoren e kampionëve të Francës.

Në të 83-tën erdhi dhe momenti i Zllatan Ibrahimoviç që shënoi golin e tij të parë sezonal në kampionat pas plot 7 ndeshjesh, diçka e rrallë për një bomber të kalibrit të tij.

Pas vetëm 3 minutash, Zllatan kishte mundësinë më të mirë për të shënuar golin e dytë personal falë një penalltie të fituar nga Cavani, por në këto ditë kur po flitet për gabimet e Messit nga pika e bardhë edhe Ibra tregoi se të mëdhenjtë gabojnë duke dështuar në duelin me portierin Lossi.

Në fund, gjithsesi 3-0 për PSG që pret në këtë mënyrë oreksin e rivalëve për ta parakaluar në krye të paktën edhe për një javë, ndërsa Guingamp shënon humbjen e katërt në 7 ndeshje sezonale.

Top Channel