SHBA, Xi: Jemi për një ekonomi të hapur

23/09/2015 04:35

Presidenti kinez, Xi Jinping ka siguruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës se Pekini mbetet i vendosur dhe i përkushtuar për të bërë reformat financiare dhe për një ekonomi të hapur.

“Kina nuk do të bëjë hapa mbrapa në këtë proces”, deklaroi Xi në një forum në Seattle përballë 650 biznismenëve dhe të ftuarve të tjerë, në ditën e parë të vizitës së tij njëjavore në Shtetet e Bashkuara.

Xi është pyetur për ekonominë, e cila nuk është në ritmet e disa viteve të mëparshme pasi rritja është më e ngadaltë, ndërsa gjithashtu është pyetur në lidhje me ndërhyrjen e qeverisë së tij në tregjet e aksioneve pas një periudhe të errët që ishte këtë verë.

Ndërkohë, në momentin kur Xi ishte duke mbajtur fjalimin para të pranishmëve, rreth 100 persona, kryesisht nga organizatat që mbrojnë të drejtat e njeriut, janë mbledhur për të protestuar.

Xi do të ketë një javë me një agjendë të ngarkuar pasi pritet të takohet edhe me Presidentin Obama si dhe të mbajë një fjalim në OKB. Aktualisht, SHBA-të dhe Kina ndajnë mendime të ndryshme për shumë çështje, por po shpresohet për një afrim pas vizitës së presidentit kinez.

Top Channel