Gjosha: Po punojmë për reformën në drejtësi

23/09/2015 00:00

Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha ndodhet në Gjermani për një vizitë pune ku është takuar me me Ministrin e Shtetit, pranë Ministrirsë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Roth.

Zyra e shtypit në Ministrinë e Integrimit citon ministren Gjosha të ketë deklaruar se “po punojmë që brenda një kohe të shkurtër të realizojmë reformën në drejtësi, pa të cilën hapja e negociatave nuk do të mund të realizohej. Kjo fazë e procesit mbetet më e rëndësishmja, ndaj mbështetja e ekpsertiza e partnerëve tanë  tanë europianë është e domosdoshme”.

Ndërsa ministri Roth citohet të jetë shprehur në këtë takim se Shqipëria ka arritur shumë gjatë këtyre viteve, por ka ende shumë për të bërë. “Ne jemi partnerët tuaj. Do të mbështesim Shqipërinë, por ju takon ju të vazhdoni me reformat pasi kjo, së pari i shërben vendit tuaj. Të jeni të bindur se ne duam ta shohim Shqipërinë sa më shpejt të përmbushë standardet që kërkohen”.

Në fokus të këtij takimi, ishte edhe kriza e emigrantëve, azilkërkuesit nga Shqipëria dhe gjetja e mënyrave sa më efikase për të minimizuar këtë fenomen, i cili sipas bashkëbiseduesve nuk i shërben as individëve që bëjnë një zgjedhje të tillë, por as imazhit të Shqipërisë. 

Ministrja Gjosha u shpreh gjithashtu se qeveria shqiptare dhe të gjitha ministritë e linjës po punojnë për informimin veçanërisht të të rinjve duke theksuar se vendimi për të emigruar është një vendim personal dhe të tilla duhet të jenë edhe penalizimet.

Pas takimit, Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha dhe  Ministri i Shtetit, pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Roth morën pjesë në forumin “Shqipëria në Europë, Sfida dhe Mundësi”, organizuar nga Lëvizja Europiane e Gjermanisë, e cila ka nëndegë të saj në të gjithë Europën.

Top Channel