Udhëheqësit e BE-së priten të ratifikojnë kuotat e refugjatëve

23/09/2015 10:30

Udhëheqësit e BE-së pritet të miratojnë në Bruksel planin e shpërndarjes së 120 mijë emigrantëve, edhe pse nga disa vende anëtare vazhdon të ketë rezistencë të ashpër.

Rumania, Republika Çeke, Sllovakia dhe Hungaria kanë votuar që të katërta “kundër” skemës së kuotave të detyrueshme. Të martën, si rrallëherë kur diskutohet mbi çështje që përfshijnë sovranitetin kombëtar, ministrat e Brendshëm të bllokut i dhanë “dritën jeshile” planit të sistemimit, çka u arriti me shumicë votash, pasi do të ishte e pamundur me aprovim unanim.

Sipas skemës në fjalë, me mijëra emigrantë do të zhvendosen tani nga Italia, Greqia e Hungaria drejt vendeve të tjera të Bashkimit Europian. Në votimin e së martës, Finlanda abstenoi, ndërsa Polonia, që ishte shprehur kundër propozimit, e hodhi votën e saj në favor të tij.

Reagimi i kundërshtarëve të idesë ishte shpërthyes. “E ardhmja do ta tregojë se çfarë gabimi trashanik po bëhet këtu”, deklaroi Presidenti çek, Milos Zeman. I palëkundur u shfaq dhe kryeministri sllovak, Robert Fico, që u shpreh më i gatshëm të shkelë rregullat, sesa të pranojë “diktatin” e shumicës.

Asnjë prej këtyre komenteve nuk e shqetësoi njeriun që drejtoi mbledhjen, ministrin e Jashtëm të Luksemburgut, Jean Asselborn. “Nuk ka asnjë dyshim se, edhe vendet kundërshtare do t’i implementonë masat deri në një”, deklaroi ai me qetësi.

Qeveritë e BE-së, që dështojnë në zbatimin e ligjeve të bllokut, mund të përballen me ndëshkime financiare, ndaj dhe kokëfortësia, në këtë rast, do të kishte koston e saj.

Samiti i kësaj të mërkure, ndërkohë, do të fokusohet edhe te forcimi i kufijve të BE-së, si dhe shtimi i ndihmave për Sirinë, nga ku vijnë shumica e refugjatëve.

Kryeministri britanik, David Cameron, dhe shefi i Elizesë, Francois Hollande, patën një takim kokë më kokë mbrëmjen e së martës, ku thanë se gjetja e zgjidhjes së konfliktit sirian është çelësi për zgjidhjen e krizës së emigrantëve.

Top Channel