Presidenti Nishani, mesazh ngushëllimi familjarëve të Tërshanës

23/09/2015 10:45

Presidenti Bujar Nishani i dërgoi një mesazh ngushëllimi familjarëve të këngëtarit Tonin Tërshana, i cili ndërroi jetë në moshën 66-vjeçare, ditën e martë, pas një sëmundjeje të rëndë.

“Në këto çaste dhimbjeje të thellë për humbjen e njeriut tuaj të shtrenjtë, dëshiroj t’ju gjendem shpirtërisht pranë, duke ju shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta! Me ikjen e tij të parakohshme nga jeta, ju humbët njeriun tuaj më të dashur e më të pazëvendësueshëm, ndërsa ne dhe të gjithë artdashësit humbëm një nga këngëtarët më të talentuar e të përkushtuar, i cili me mjeshtëri e profesionalizëm të rrallë ka lënë mbresa të pashlyeshme në kujtesën tonë”, lexohet në mesazhin e Presidentit të Republikës.
 
“Me interpretimet e tij virtuoze, Tonin Tërshana do të kujtohet ngaherë një zë kumbues dhe i spikatur ndër dekada në festivalet e përvitshme të Radio-Televizionit dhe skenat anembanë Shqipërisë”, thuhet në mesazhin e Bujar Nishanit.

Top Channel