Në një ceremoni zyrtare të zhvilluar në dy pjesë është betuar “Qeveria 2” e kryeministrit grek, Alexis Tsipras, brenda 9 muajve të fundit. Në fillim janë betuar tradicionalisht, me dorën mbi Bibël, 12 anëtarë të saj, e më pas 33 të tjerët, që kanë bërë vetëm betimin politik.

Emërimi i kabinetit të ri në Greqi nuk ka pasur surpriza dhe Tsipras – sipas analistëve, – me zgjedhjen e tij ka siguruar huadhënësit se do të vazhdojë të respektojë marrëveshjen e ndihmës dhe do të zbatojë reformat.

Kjo pasi, në drejtimin e Ministrisë më të rëndësishme, atë të Financave, ka emëruar përsëri Euclid Tsakalotos, bashkë me ministrin plotësues, Georgios Houliarakis, që luajtën një rol të rëndësishëm dhe vendimtar te negociatat e fundit me kreditorët, duke arritur nënshkrimin e marrëveshjes së shpëtimit dhe duke shmangur katastrofën e plotë për vendin.

Gjithashtu, një rol të rëndësishëm në qeverinë e re pritet të luajë ministri i ri i Politikave të Emigracionit, në një moment tepër kritik jo vetëm për Greqine, por edhe për Europën, që po përballon krizën më të madhe të refugjatëve nga Lufta e Dytë Botërore.

Giannis Moyzalas është një anëtar aktiv i organizatës “Mjekët pa Kufij” dhe ka marrë pjesë në shumë misione humanitare, në shumë zona të nxehta në Lindjen e Mesme.

Kabineti i ri me 14 ministri përbëhet nga 45 personalitete të fushave të ndryshme. 7 prej të emëruarve në postet e ministrave janë gra.

Numri i madh i ministrave plotësues dhe zëvendësministrave vlerësohet se është bërë edhe për ruajtjen e balancave politike brenda gjirit të Syrizas, që ende nuk është qetësuar nga përçarja dhe largimi i platformës marksiste, dy muaj më parë. Gjithashtu, edhe për të përballuar probleme të mprehta në sektorët e ekonomisë, industrisë, arsimit dhe politikës së Jashtme.

Kreu i diplomacisë greke ka mbetur përsëri Nikos Kotzias, ndërsa edhe në ministritë kryesore nuk kanë ndryshuar anëtarët e Syrizas, që kanë mbështetur fuqishëm kryeministrin Tsipras.

Gjithashtu, 5 prej posteve mbajnë aleatët qeveritarë të partisë “Grekët e Pavarur”, prej të cilëve udhëheqësi i tyre, Panos Kammenos ka rimarrë Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa 4 pjesëtarë të kabinetit vijnë nga gjiri i socialistëve të PASOK-ut, që u shkëputën nga kjo parti dy vite më parë.

Ndër komentet më karakteristike të shtypit grek për kabinetin e ri, veçohen titujt e gazetave që flasin për një qeveri kopje të së mëparshmes, apo qeveri të balancave politike, ndërsa ministrat që do të përballen me reformat janë konsideruar si “grupi i misioneve të rrezikshme”.

Top Channel