Argjentina, ndaj Ekuadorit dhe Paraguajit mungon Higuain

23/09/2015 00:00

Argjentina do të nisë aventurën në kualifikueset e Botërorit 2018 me sfidat ndaj Ekuadorit dhe Paraguajit, në datat 8 dhe 13 tetor.

Trajneri i nënkampionëve të botës, Gerardo Martino ka zbuluar emrat e futbollistëve të grumbulluar për këto dy sfida, listë e cila u publikua në faqen zyrtare të Federatës argjentinase të Futbollit.

Për këto dy përballje, Martino ka preferuar të mbajë të paprekur bazën e futbollistëve që ishin si në Botërorin 2015 edhe në Kupën e Amerikës, këtë vit, por duke shtuar disa emra të rinj.

Padyshim, nuk mund të mungojnë në këto përballje dy futbollistët e Barcelonës, Lionel Messi dhe Javier Mascherano, ndërkohë që janë vënë nën urdhrat e Martinos edhe të rinjtë Angel Correa e Paulo Dybala, që luajnë respektivisht tek Atletico Madrid dhe Juventus.

Ajo që të bën përshtypje në listën e të grumbulluarve nga Martino është mungesa e sulmuesit Gonzalo Higuain, për probleme me stomakun, ndërkohë që do të mungojë edhe Fernando Gago, ky i fundit për arsye dëmtimi.

Në përfaqësuesen argjentinase, për ndeshjet me Ekuadorin dhe Paraguajin do të jenë edhe sulmuesi i PSG-së, Ezekiel Lavezzi, dhe ai i Boca Juniors, Carlos Tevez.

Top Channel