Prania ruse në Siri, Kerry: Për momentin po mbron veten

23/09/2015 12:45

Prezenca ushtarake ruse në Siri duket se është e limituar vetëm në mbrojtjen e forcave të saj në vend. Këtë e tha sekretari amerikan i shtetit të martën.

Gjithsesi, ai shtoi se qëllimet afatgjata të Moskës mbeteshin të paqarta. Komentet e Kerrit vijnë pas raportimeve se Rusia po zgjeron praninë ushtarake në Siri përmes ndërtimit të dy bazave të tjera.

Ky fakt ka shqetësuar zyrtarët amerikanë, por Kerri tha se SHBA ishte e përgatitur për të bashkëpunuar me Rusinë, për t’i dhënë fund luftës 4-vjeçare në Siri. Ai i kërkoi presidentit rus Vladimir Putin të luajë një rol konstruktiv në gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike për konfliktin që ka shkaktuar më shumë se 200 mijë viktima dhe ka shpërngulur miliona të tjerë.

Kerri ka qënë kritik lidhur me mbështetjen që Putin po i ofron regjimit të Bashar Al Asadit. Wall Street Journal raportoi të martën se imazhe të reja satelitore vërtetonin zgjerimin e pranisë ushtarake të Rusisë në Siri, pranë brigjeve të Mesdheut.

Shfaqja e avionëve të rinj rus kanë gjeneruar shqetësimet se Rusia po synon të luajë një rol më agresiv në konflikt. Mbështetja ushtarake e Rusisë për Sirinë, është një dhimbje koke për sekretarin amerikan të shtetit, ndërsa SHBA po përpiqet të gjejë një zgjidhje diplomatike për luftën civile në vend, e cila duhet medoemos të kërkojë largimin e Asadit.
Bisedimet për paqen në Siri të drejtuara nga OKB nuk arritën të bindnin palët për krijimin e një organizmi të përkohshëm qeverisës, që do të zëvendësonte Asadin. Por përballë rritjes së prezencës së militantëve të Shtetit Islamik, të mjeteve e ushtarëve rusë, dhe eksodit të refugjatëve sirianë në Europë, gjetja e një zgjidhjeje politike është bërë diçka e domosdoshme.

Kerri do të takohet me homologët e tij nga Europa dhe Lindja e Mesme, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB, për të diskutuar lidhur me zgjidhjet për konfliktin.

Top Channel