Dekriminalizim me konsensus përmes Komisionit të Posaçëm

23/09/2015 00:00

Procesit të dekriminalizimit duket se i është hapur drita jeshile për të vijuar shpejt dhe me konsensus. Të paktën të tilla duken gjasat nga mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, pas së cilës ishte LSI që njoftoi e para se janë marrë parasysh kushtet dhe propozimet e saj për këtë proces, që ai të vijojë shpejt dhe me konsensus në Komisionin e Posaçëm Parlamentar.

“Të gjitha nismat që lidhen me procesin do të jenë tashmë në shqyrtimin e Komisionit të Posaçmë dhe atje ku do të gjehet një mosmarrëveshje, do t’i referohemi Komisionit të Venecias, vendimin e të cilit për ato nene që ne nuk biem dakort, do të jetë një vendim i detyrueshëm për secilën palë”, tha Vasili.

Palët kanë mbërritur në këtë dakortësi pas një procesi negociatash me PS-së e PD-së, që konfirmohet se do të vijojë edhe në ditët e ardhshme. Këto negociata kanë bërë që Tualant Balla i Partisë Socialiste të pohojë vijimin e procesit në Komisionin e Posaçëm, vetëm një javë pas artikulimit po prej tij, se Komisionit të Posaçem i kishte mbaruar mandati dhe procesi i hartimit të draftit ligjor duhej të vijonte në Parlament.

Taulant Balla: Duam që këto proces ta bëjmë bashkë dhe duhet ta bëjmë në mënyrë të menjëhershme.

Oerd Bylykbashi: Ndryshimet në ligj dhe ndryshimet kushtetuese duhet të kalojnë dhe do të kalojnë në Komisionin për Dekriminalizimin.

Por, kjo dakortësi nuk është ende e plotë për ligjin. PS e PD nuk kanë zgjidhur ende kërkesën për përfshirjen e testit të drogës dhe shenjat e gishtërinjve, propozuar nga opozita. Për të parën demokratet nuk bëjnë nënvizime kushtezuese, ndërsa për të dytën thonë se në të kundert nuk japin konsesusin.

Oerd Bylykbashi: Çështja e shenjës së gishtërinjve është një moment themelor në ligjin që kemi propozuar ne. është një kusht që nuk e negociojmë. Pa të do të ishte e pamundur që kriminelët që kanë ndryshuar identitet, që kanë kryer krim me një identitet tjetër, të kapeshin dhe të ndaloheshin nga të bërit deputet apo çdo funksionar tjetër.

Taulant Balla: Shqipëria e ka zgjidhur problemin e identiteti për shkak se çdo qytetar shqiptar, kur dëshiron të zgjidhet apo dëshiron të aplikojë për një vend si funksionar publik, paraqet kartën e identitetit. Në kartën e identiteti janë të gjitha të dhënat biometrike të personit.

Për momentin, atë që kanë më shumë të qartë palët janë synimet respektive, që i ndan një detaj i kohës së foljeve të përdorura.

Oerd Bylykbashi: Në fund fare të ketë një ligj që do të nxjerrë kriminelët sot nga Parlamenti dhe institucionet dhe nuk do t’i lërë ata që të hyjnë nesë.

Taulant Balla: Të kesh qenë i dënuar për shpërdorim detyre, për korrupsion, për çdo vepër kriminale harrojë se mund të jesh më deputet apo funksionar i lartë publik në këtë vend.

Top Channel