Refugjatët, thellohen ndasitë në BE

23/09/2015 16:05

Ndasitë mes vendeve anëtarë të Bashkimit Europian mbi shpërndarjen e 120 mijë refugjatëve, u thelluan këtë të mërkurë në takimin emergjent të udhëheqësve të unionit të thërritur në Bruksel.

Sllovakia ka ndërmarrë një nismë ligjore për të kundërshtuar kuotat e propozuara nga Brukseli për strehimin e refugjatëve.

Ndërkohë, kryeministri hungarez, Victor Orban, njëri prej kundërshtarëve më të ashpër të qëndrimeve dhe politikave të BE-së sa i përket fluksit të emigrantëve, mbrojti të drejtën demokratike të vendit të tij për të vendosur vetë mbi politikat për refugjatët, si dhe propozoi një plan radikal për rritjen e fondeve për krizën.

Deri më tani, udhëheqësit e BE-së kanë dështuar të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të koordinojnë veprimet për t’iu përgjigjur krizës.

Kryeministri britanik, David Cameron dhe presidenti francez, Francois Hollande u takuan në prag të nisjes së samitit. Në përfundim të takimit ata deklaruan se zgjidhja e konfliktit sirian është kyçe për zgjidhjet e krizës së emigrantëve.

Sipas një deklarate të “Doëning Street”, dy udhëheqësit kanë rëndë dakort që të punohet më fort për riatdhesimin e atyre personave që nuk plotësojnë kriteret për të qenë azilantë.

Britania ka mënjanuar planin e përbashkët të BE-së për shpërndarjen e refugjatëve, duke vënë në zbatim një plan të vetin për të tërhequr 20 mijë refugjatë direkt nga kampet e sirianëve.

Para nisjes së samitit të jashtëzakonshëm, Komisioni Europian bëri publik planin për të menaxhuar krizën, ku ndër të tjera parashikohej rikthimi i lëvizjes së lirë në zonën Shengen, paralajmërimi për penalizime për 19 vende anëtare të BE-së që refuzojnë të respektojnë procedurat e azilit dhe lëvrimi i një fondit prej 1.7 miliardë eurosh për krizën, ku 1 miliardë do të shkojnë për të ndihmuar Turqinë dhe pjesa tjetër për agjencitë humanitare, azilantët, policinë dhe agjencitë e tjera të kontrolleve kufitare.

E ndërsa BE vazhdon të diskutojë pa dalë ende me një plan konkret të përbashkët, problemi merr përmasa akoma më të mëdha. Kroacia njoftoi të mërkurën se mbi 50 mijë refugjatë kanë hyrë në territorin e saj që kur Hungaria përfundon ngritjen e barrikadave në kufirin e vet me Serbinë.

Top Channel