Papa zbret në SHBA: Nuk mund të injorojmë më klimën

23/09/2015 16:20

Mesazhi i përcjellë nga Papa Françesku në ditën e parë të vizitës në Shtetet e Bashkuara, iu kushtua krejtësisht ndryshimeve klimatike.

“Njerëzimi nuk mund të injorojë më tej ndryshimet klimatike. Nuk mundemi më që t’ua pasojmë brezave që vijnë”, deklaroi kreu i kishës katolike përballë një turme prej 11 mijë personash të mbledhur në oborrin e Shtëpisë së Bardhë.

Papa Françesku u prit fillimisht nga Presidenti Obama.

“Papa na kujtoi të gjithëve ne se kemi një detyrë të shenjtë për të mbrojtur këtë planet”, tha Obama.

Kjo ishte nisja e vizitës së Papës në tokën amerikane, vizitë që do të zgjasë plot 5 ditë. Pas takimit me Obamën, Papa do të drejtojë kanonizimin e Junipero Serra, i pari në tokën amerikane. Ceremonia do të zhvillohet në spanjisht dhe do të mbahet në kishën më të madhe katolike në Amerikën e Veriut.

Junipero Serra është një françeskan i shekullit të 18-të që themeloi një mision në Kaliforni. Ai është shenjtori i parë hispanik në Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, vendimi për të shenjtëruar Perra-n ka hasur edhe në kundërshti. Indianët e Amerikës e kanë kritikuar këtë nismë të Vatikanit dhe ndajnë një këndvështrim krejt tjetër për Perra-n. Sipas tyre ai ishte një person që u imponoi dhunshmën katolicizmin paraardhësve të tyre.

Lidhur me këto kritika, vështirë se Papa Françesku të mos reagojë. Në të shkuarën ai ka kërkuar ndjesë për trajtimin e bërë ndaj popullsive indigjene.

Top Channel